(2L ONLINE) – Kësaj here segmenti i shëndetësisë është ai që ka përplasur pozitë e opozitë (PDK), përkatësisht Fatbardha Selmanin, anëtare e Kuvnedit Komunal nga radhët e PDK-së, njëherësh anëtare edhe e Komitetit për Shëndetësi, dhe në anën tjetër, u.d i drejtorit të QKMF-së, Fejzullah Berisha.
Fillimisht erdhi deklarata e Fatbardha Selmanit sipas të cilës Pacientët në dializë po malltretohen nga QKMF në Gjilan, ndërsa më pas erdhi edhe reagimi nga drejtori Fejzulla Berisha se QKMF, ofron shërbime dhe nuk keqpërdor fatkeqësinë e njerëzve, dhe tani sërish kundërreagimi i Fatbardha Selmanit të PDK-së.
Shih paraprakisht shkrimet:
Selmani: Pacientët në dializë po malltretohen nga QKMF në Gjilan
Berisha: QKMF, ofron shërbime dhe nuk keqpërdor fatkeqësinë e njerëzve
Ja tani kundër reagimi i Selmanit:
“E kemi thënë në vazhdimësi dhe tani e themi se gjendja e shëndetësisë në Gjilan, është larg shërbimeve cilësore të qytetarëve, që ofrohet nga niveli primar i këtij sektori. Kemi gjashtë muaj që komuna e Gjilanit nuk ka drejtor të Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, poashtu nuk ka as drejtor të QKMF-së. Të dy këto institucione, aktualisht po udhëhiqen me UD (Ushtrues Detyre të drejtorit) dhe kjo është në kundërshtim të plotë ligjor, sepse është i njëjti person, Fejzullah Berisha i cili në dy vende kryen rolin e UD, pra ky është konflikt i rëndë interesi. Andaj Berisha, së pari duhet të largohet nga kjo gjendje e kundërligjshme në të cilën ai gjendet, e pastaj ai të flas për nivelin e shërbimeve të cilat i ofrohen pacientëve në Gjilan.
UD Berisha në reagimin e tij, shihet që është munduar, kinse të ofroj disa fakte për të vërtetën sipas tij, ndërsa në realitet ai ka ofruar disa të pavërteta tjera, keq, vërtet keq. Së pari, ai nuk është përgjigjur, pse asnjë ditë nuk është shfrytëzuar kombi i cili është blerë nga buxheti komunal në vlerë prej 32 mijë euro, me destinim për bartjen e pacientëve në dializë? Do të thotë, se qëndron fakti i pamohueshëm i ynë, që menaxhmenti i QKMF-së, po e keqpërdor këtë automjet, duke mos e shfrytëzuar atë për çfarë është bërë kërkesa nga QKMF, për çfarë është tenderuar dhe për çfarë është blerë ai automjet.
Arsyetimi i UD të QKMF-së Berisha, i cili duke përmendur zvogëlimin e shpenzimeve të derivateve në vlerë prej 1,603 euro, ka harruar se gjatë këtij viti, disa punkte nëpër fshatra nuk kanë funksionuar normalisht dhe kjo ka ndikuar në uljen e këtyre shpenzimeve, bashkë me uljen e ofrimit të shërbimeve shëndetësore dhe rritjen e problemeve të qytetarëve për të marr mjekimin adekuat, në kohë dhe hapësirë.
Në reagimin e tij, UD është dashur të ofrojë fakte edhe për të hyrat nga shëndetësia, gjatë këtij viti në buxhetin e komunës, por ndoshta ai ka harruar! Por ne e kemi obligim, t’ia përkujtojmë atij dhe opinionit, se të hyrat financiare nga shëndetësia gjatë këtij viti, janë zvogëluar dhe ka rënie për 17,703 euro, në krahasim me vitin e kaluar (Në vitin 2013 për 9 muaj janë inkasuar 77,216.50 euro, ndërsa në këtë vit për 9 muaj, 50,512.90 euro). Apo në bazë të planifikimit 2014, kemi 30,487 euro më pak të hyra për 9 mujorin financiar të këtij viti. Pra, UD i QKMF-së na paska kursyer 1,603 euro, ndërsa ka humbur (nuk ka inkasuar) 17,703 euro. Kësaj i thonë sukses apo mos sukses, menaxhim i mirë apo keq menaxhim?
Nëse flasim për investime-shpenzime kapitale, në këtë vit nga buxheti komunal janë bërë 41,900 euro, minus 32mijë euro për blerjen e kombit, për pacientët në dializë (por aktualisht në shërbim të qefeve të UD-së dhe menaxhmentit të QKMF-së), atëherë për nevoja të shëndetësisë janë shpenzuar vetëm 9,900 për investime kapitale. E kjo është shumë pak duke marr parasysh nevojat për investime kapitale në sektorin e shëndetësisë në Gjilan, deri sa edhe vet kryetari i komunës, në një konferencë për media, në muajin qershor kishte premtuar që të investohen 200 mijë euro. Pra kjo është bërë normale në komunën e Gjilanit, tjetër çka flitet e tjetër çka bëhet.
Është e ulët të thuhet nga një UD në arsyetimin e tij, se deri më tash nuk ka pasur ankesa nga pacientët në dializë, për shkak të transportit të tyre. Kjo është më shumë se një keqpërdorim i detyrës zyrtare, është një mashtrim që iu është bërë atyre për gjashtë muaj, sepse ne jemi të bindur se ata as që kanë qenë të informuar se ky kombi është blerë për nevojat e tyre. Dhe ju duke e ditur këtë, asnjë herë nuk e keni përdorur për pacientë, bile edhe kur ka qenë në defekt automjeti i vjetër, ju nuk keni qenë në gjendje me dhënë në shfrytëzim këtë kombi të ri, që është blerë për ta, por i keni bartur me veturë të autoambulancës, që është i destinuar për një pacientë.
Sa i përket promovimit mediatik, unë jam e promovuar që nga momenti i kandidimit tim si kandidate për këshilltare komunale dhe kjo dëshmohet edhe me mbështetjen që e kam marr nga qytetarët, për ti përfaqësuar në Kuvendin Komunal të Gjilanit. Fatkeqësisht mentaliteti i qeverisjes suaj në Gjilan, ku po mundoheni që përmes nënvlerësimeve ndaj nesh, të ndikoni në shuarjen e zërave tanë. Por kot e keni, sepse asnjëherë nuk do të mund të na hidhni hi syve, as neve dhe as qytetarëve të Gjilanit.
Është bërë e rëndë për ju në qeverisje lokale, kur ne adresojmë shqetësimet tona dhe kritikat ndaj keqpërdorimeve dhe dështimeve në secilin sektorë në komunë, por duhet të mësoheni më këtë fakt, sepse është në interesin tuaj, që të përmirësoni punën dhe qeverisjen tuaj. Në këtë rast ju fillimisht duhet të përmirësoheni, duke e liruar njërën pozitë të UD, sepse është shkelje ligjore dhe konflikt interesi dhe që jeni duke e bërë me vetëdije të plotë. Dhe fatkeqësisht shkeljet ligjore, janë bërë normale nga zyrtarët në këtë pushtet dhe qeverisje të dështuar në Gjilan.
Ju sugjerojmë që të mos e harxhoni kohën me “udhëzimet dhe rekomandimet” se si do te duhej te dilnim ne opozita me komunikata, por ju rekomandojmë që komunikatat tona t’i lexoni me kujdes sepse aty fshihet qëllimi i mirë dhe e vërteta për keqmenagjimin tuaj dhe shkeljet tuaja ligjore. Leximi i drejtë i komunikatave tona do të duhej me qenë shëndet për ju, natyrisht nëse e keni sensin për korrigjim.
Ne do t’ju përcjellim në secilin hap tuajin dhe të qeverisjes komunale në përgjithësi dhe do të jemi edhe më kritikë se deri më tash ndaj mospunës dhe punës tuaj jo të mirë por, ju sigurojmë që nëse ju e dëshmoni te kundërtën ne nuk do të ngurrojmë të themi edhe fjalë të mira për ju. Pra, përmirësohuni sa më parë sepse në të kundërtën ju pret dështimi i sigurt” përfundon kundrpërgjigja e Fatbardha Selmanit të PDK-së./2L ONLINE/