(Për vëllimin poetik “Dritorja e jetës” të Kushtrim Ymerit, edituar ditë më parë nga Shtëpia botuese “Beqir Musliu”)
Shkruan: Sherafedin Kadriu
Kushtrim Ymeri vjen me vëllimin e parë poetik Në dritoret e jetës, një përmbledhje poezish që të krijon përshtypjen se ke të bësh me një poet të pjekur mirë, por kur kupton se është fjala për vëllimin e parë poetik të një të riu, atëherë zë e mendohesh për faktin, po vazhdoi kështu, cili mund të jetë vendi i tij në letërsinë shqipe. Nuk është konstatim kurtuazie, as bazohet në indice, por në poetikën e manifestuar.
Libri është ndarë në katër cikle motivuese: Prej dritores së shpirtit, Mbi gjethet e kësaj vjeshte, Nëpër ëndrra më sheh dhe Kokën time në ty e kam mbështetur.
Motiv dominues në këtë vëllim poetik është dashuria, natyrshëm, Kushtrimi është i ri në moshë dhe ndjen, edhe goditet rëndë nga stërkalat e saj. Poeti, (e meriton këtë emërtim), i këndon në mënyrën e tij dashurisë me vargje të pjekura mirë, bile për aq sa t’ia ketë lakmi edhe ndonjë poet me përvojë. Dhe, kjo pse poezia veç ndjenjë e mesazh, është në radhë të parë fjalë. Është varg i thurur ndryshe nga rëndomtësia.
Cikli i parë Prej dritores së shpirtit gjakon vashën, pse ajo vjen vetëm njëherë me krahasimin e shtrirë, nuk është si dimri që vjen sërish, as si harresa për ftohtin e atij që ka ikur, ajo njëherë ka ardhur për të mos u harruar kurrë. Ndoshta, krahasimi analitik më i bukur që është ndërtuar në vargun e Kushtrimit mbetet ai me pushtimet greke që “me shekuj rrinin pa u lëkundë”, ndërsa “ndryshe nga grekët e lashtë, ajo e kish pushtuar edhe pa e gjetur askund”. Pushtimet vërtetë që janë të neveritshme, janë të padrejta, prandaj historia u ka bërë vend ikjeve një ditë. Për dallim, ani pse ikën edhe dashuria, pushtimi i saj nuk hiqet kurrë, me kalimin e kohës vetëm sa rinohet. Në vargjet e tilla ka edhe pakëz nga ajo dashuria platonike, në të vërtetë ka dhembje më shumë, sepse është dashuria e parë të cilën e ndjekin stinët e mospranimit dhe të ndarjes njëkohësisht. Nuk është si shtegtarët që kthejnë vitin tjetër, ajo ka ikur njëherë e përgjithmonë për t’i lënë vend kujtesës së gurtë a të urtë, do të ndjejë poeti. E ndjerë në çdo pore, dashuria nuk tretet, pse ikin vitet. A është inat a dhembje, për ikjen e moskthimin, nuk është përgjigjur kush. A është fjalë e heshtur q‘e ndjen brendësia, a vajë e buzëqeshje bashkë, as këtë s’e themi dot.
Po nënvizojmë se kjo poezi nuk është fillestare në vetvete. Ka një përvojë, në mos të publikimit, atëherë të leximit dhe shkrimit gjithsesi, prandaj vargu artistik i këtij vëllimi poetik na detyron ndryshe të psonisnim për të.
Poezia Vjeshta dhe ti, nuk është vetëm titull këpujor, po metaforë që përbrenda udhëhiqet nga muzgu që bën me dije se po erret, ndryshe nga kujtimi që nuk erret, që nuk zhbëhet, se nuk është dashuria gjethe e rënë vjeshtarake, ajo ngjitet e s’hiqet, piqet e nuk shqitet.
Figurat rrjedhin me një ritëm të lehtë nëpër strofat me vargje të lira. Ndonjëherë vargjet rimojnë, e në të tilla raste rima vjen natyrshëm, pa ndonjë këmbëngulje për të qenë e tillë:
Pastaj ecë në të gurtin kalldrëm
Dhe sheh si era një vidh përkund,
Mos vallë dhe jeta ikë si në jerm
Me gjethe vjeshte ëndrrat i shkund.
(Shkundja e ëndrrave)
Sidomos, i rëndësishëm është ritmi që ritmon kthjellët me një muzikalitet që se kah vjen nuk e thua dot.
Pse ta peshoj shikimin
A kujtesën ta shprush
Kur ti s’perëndon mendimeve të mia
(Shkolla e dashurisë)
Si është krijimi poetik! Është imagjinatë për të sforcuar psiken që vepron e cytur nga kundërshtimi. Të shumtën e herëve është ndjenjë që buron nga dhembja për të humburën. Është kujtim për ikjen. Është shprushje për djegien, është pluhur që s’fshihet kurrë. Bile një njollë që s’e lanë as uji i deteve.
Cikli i dytë Me gjethet e kësaj vjeshte mund të jetë karakteristik, pse tashmë poeti në poezitë e këtij cikli është i sigurt për ndarjen që vjen me ngjyrën e vjeshtës, atë të zverdhuarën, pak para se të dorëzohet tek e bardha e ftohtë. Motivi është shtresuar thellësisht si ndjenjë këmbëngulëse që nuk ndalon së ardhuri në sfondin e kujtesës. Në këtë cikël dhe jo vetëm ka një strukturim kumtimi e mendimi ndikuar nga leximi. Mund të jetë ndikimi i Kadaresë, që p.sh. vërehet më mirë te poezia Motiv vjeshte, sidomos ai shiu i Tiranës në bulevardin me stola gjysmë të kalbur. Një ndikim pozitiv, që s’ka pse merret për keq.
Ç’është e vërteta, ndikimi kadareian ndjehet në ndërtim dhe jo vetëm, por edhe në shtrim semantik, në jo pak poezi. Por, kujtojmë që mjafton ta bësh tënden atë që ke mësuar, se poezia nuk është shkencë që do t’i duhej aparati shkencor prej fusnotash. Si i tillë ndikimi është përpunuar deri në origjinalitet të mirëfilltë, prandaj flasim për poezinë e Kushtrimit.
Të duash, mund të duash, sa herë të duash, por të dashurohesh do të thotë të mbushesh e të skuqesh gjer në vesh, e kjo ndodh vetëm një herë. Në ciklin e tretë Nëpër ëndrra më sheh, largësia e bën të veten, edhe mund të harrohesh, por sa më shumë zgjatë qëndrimi, aq më mirë njihet qyteti, aq më shumë vdiset për dashurinë në qytetin e ri. Të njihesh, të duash ose të ndahesh është njëjtë, nuk është ndryshe në qytetin Alpin. Edhe tetori ftohet ngadalë, po pakëz grimca nxehje ndezin kujtesën.
Bukur e ka shpërfaqë një fenomen që ka bërë vend në dëshirat e të rinjve, qofshin vajza a djem. Gati, të gjithë habiten, kur përballë ndjenjës së çiltër, është i shtrenjti luks që do të shkëlqejë hidhur një ditë. Dhe kjo dukuri, nuk vërehet vetëm në perëndim, por edhe këtu, në Kosovë. Autori e ndjen këtë, është i sigurt, ka dhembje për magjepsjen që të çorodit. Në mos sot, nesër.
Një cikël i veçantë edhe për motivin, është ai me titull sinjifikativ, Kokën time në ty e kam mbështetur, që ka të bëjë me motivin e atdhedashurisë, duke përfshirë në të edhe disa poezi përkushtuese.
Ligjërimi për At’dheun siç e kompozon ndryshe fjalën atdhe nga ç’e njeh rregulli gramatikor, tashmë flet për kompozita më ndryshe me apostrofin e ndërkallur në mes dy bazash, ashtu, siç janë dysh trupi i poetit dhe i atdheut që nuk ka asht e s’u dhembë, që në shpirtin dysh nuk ka natë të qetë deri në agim, e dikush i ndjek nëpër shteg, e plaga e atdheut është më e thellë, ia tejkalon asaj të poetit. Atdheu edhe plagoset, rëndë bile, por nuk vdes kurrë. Sa më larg tij, e ndjen qartë: At’dhe në këtë botë veç një është.
Prandaj, e keqja që është produkt i vetes sonë të zhgënjen më shumë, se nuk ke më fajtorin kujdestar. Dhe, zhgënjimi është pronë e të shumtëve, përpos atyre që “të shurdhojnë veshët”. Atdheu është Kosova që s’diti të ankohet, të përulet, të shembet, as atëherë kur ia mbushën helm këngët, flamujt, dasmat, se gjëmat, ankimet dhembjet i kishte plasur brenda vetes. Edhe si i tillë, prehri i tij është prehri i nënës, ku pushon koka që gati s’pëlcet nga lloj-lloj mendimesh negative.
Ndryshe kemi pritur, e tjetër po shohim, se ndryshe besuam në emrat e përveçëm, do të thoshte poeti me nëntekstin. Prandaj, poezitë përkushtuese emrave të veçantë sjellin vlerën individuale të tyre në raport të drejtë me veprimin, pa kundërshti plotësore. Në poezinë Motiv i ngrohtë, kushtuar Ibrahim Rugovës, duket se Kushtrimi nuk ka zënë në thua tatëpjetës, atij shtegut të sharjes deri në mallkim për kundërshtarin politik, përkundrazi poeti është shkrirë me filozofinë e durimit për At’dheun e lirë, për guximin që sjell vetëm Hyji i Lartë. Se veç urtia e ul inatin, e zbutë dhe tërbimin, do të shprehej i urti.
Një poezi tjetër përkushtuese për poetin gjilanas Beqir Musliun, mund të jetë indice për vlerësuesin se Kushtrimi në radhë të parë është lexues i vëmendshëm, sepse tendenca të shpërfaqësh me tri strofë filozofinë dhe vlerën krijuese të shkrimeve të Beqir Msliut, nuk është e rastit, as naive. Të jesh plotë jetë në jetë, e të marrësh fare pak prej saj, kjo i ka ndodhur Beqes sipas autorit të kësaj përmbledhje poezish, atij që herët i rroku udhët e zorshme të At’dheut, që rrallëkush i rrahu, për t’u bërë pastaj Feniks.
Poezia tjetër kushtuar Astrit Deharit ka shpërfaqë atë dhembjen për të riun, atë dhembjen që dyfishohet pse sytë tanë mbulohen nga ajo që s’e duam. Një ironi për mua, për ty, për të gjithë ne. Jo se e trishtë është vdekja/ por pse më të zinj janë /ata që duan të vrasin/ ëndrra të bardha/ shqiptarçe, përfundon poeti.
Në poezinë kushtuar Adem Jasharit, autori ka manifestuar guximin për jetë, jo për vdekje sepse ata që vdesin për lirinë e popujve të tyre, e shporrin vdekjen, mbeten të pavdekshëm. Të tillët, e mbi të gjithë ata, Ademi me veprën e tij, sforcoi filozofinë me të cilën, ndoshta vonë, por u pajtuam të gjithë se Liria vetëm nëpër rrëke gjaku vjen. Ai ishte i sigurt në këtë filozofi, prandaj e thotë edhe në poezi: Pak punë në do të vdes\Si kullë e gurtë në truallin tim\Pran të parëve më gjen. Po me këtë filozofi ishte mbrujtur edhe bashkëvendësi i Kushtrimit, Agim Ramadani. Agimi ynë, Agimi i të gjithëve. Si të mos jetë i yni, kur nga gjaku i tij rrodhi veç liria\Dhe u bë jetë pastaj për ne.
Poezia tjetër që do ta përmbyllte më së miri këtë vëllim do të ishte Monologu i një statuje që është ndërtuar si një personifikim a ndoshta prozope e inatosur me të gjallët që hapin zarfe lëvdatash, për të marrë diçka nga vetë lëvdata. Në të vërtetë, monologu dialogon me ata që e kanë zhgënjyer duke lejuar që t’i thurin lavde të tillët që kurrë në jetë si deshi.
Para se të përfundojmë, duam të vëmë në spikamë edhe dy poezi, të cilat mund të konsiderohen ndër të parat e krijuara, të cilat zunë vend në këtë vëllim poetik qëllimisht: ndoshta për të kujtuar rrugën e ecjes nëpër këtë vokacion që do shumë punë. Poezia Kur mbush tetëmbëdhjetë, ka për motiv veprimet adoleshente, që zbardhen në trajtë këshillash e udhëzimesh, gati deklarativisht, si një përshkrim situatash me një ndjenjë dhembje për rrugë të gabuar. Për këtë shkollat e krijimit dhe të vlerësimit janë të ndryshme. Sidomos, kjo e dyta funksionalizohet kur për trajtim ka shpërfaqjen, natyrën e kallëzimit, qoftë në prozë a poezi. Jo çfarë, por si. Këtë të dytën e përflet teksti poetik për ta çrëndomsuar fjalën e rëndomtë dhe atë patetike. Poezia e radhës Andja q’i s’dihet mirë nga vjen, e shkruar në të folmen e rajonit në emër të gegërishtes, ndoshta për nostalgji të së përditshmes, edhe mund të bëhet, por shumë me kujdes, sepse gegërishtja di të jetë bukurtingëlluese dhe kuptimisht e vyeshme, aq sa edhe provokuese dhe trazuese.
Në fund do të nënvizojmë edhe njëherë se Kushtrim Ymeri po paraqitet para lexuesit me një vëllim poetik për lakmi, thënë me gjuhën sportive, e ka ngritur lart stekën që në krye të herës, duke ia vështirësuar vetes punën për ndonjë vëllim të radhës. Prandaj, libri i dytë do duhej të ketë më së paku nivelin e të parit, me synim për ta tejkaluar patjetër. Arti i ngutshëm nuk sjell vlera, po e besoi këtë maksimë Kushtrimi, emri i tij do të thotë patjetër diçka në letrat shqipe.
———————–
( Vështrim i lexuar më 8 dhjetor 2018, në Bibliotekën e re të Gjilanit, me rastin e përurimit të këtij vëllimi poetik, në kuadër të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit” )