Shkarkimi i ministrit për Komunitete dhe Kthim Aleksandër Jabllanoviq, nga kryeministri Isa Mustafa, i ka lehtësuar nënat gjakovare, të cilat Jabllanoviq i kishte fyer ato duke i quajtur egërsira.
Kryetarja e shoqatës, “Thirrjet e Nënave” Nustrete Kumnova, ka thënë për Gazetën Tribuna, se më në fund po ndjehen të qetësuara pas shkarkimit të këtij ministri.
Kumnova vlerëson se kërkesa e tyre për shkarkimin e Jabllanoviqit ishte e drejtë, pavarësisht se janë munduar shumë jo vetëm ato, por i gjithë populli i Kosovës. Kryeministri Mustafa, sipas saj, ka mundur ta bëjë këtë shkarkim menjëherë dhe mos të i maltretojë sepse edhe ashtu sipas saj janë maltretuar për 15 vjet.
“Por, me në fund kjo u arrite dhe jemi të qetësuara dhe na vjen shumë keq për djemtë që u rrehen dhe u prangosën. Ne kërkojmë që menjëherë të bëhet lirimi i atyre djemve sepse nuk e meritojnë të jenë në burgje”, ka thënë Kumnova, transmeton Gazeta Tribuna.
Po ashtu ajo ka thënë se do të kërkojnë që të zbardhet fati i 1650 qytetareve.
“Në do të vazhdojmë më hapat e mëtutjeshëm deri në zbardhjen e të pagjeturit të fundit. Mbetet të shihet nëse qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa do të punojë më shumë në këtë aspekt”, ka shtuar Kumnova.
Shoqata Thirrjet e Nënave kishte iniciuar protestat për shkakrimimin e Jabllanoviqit. Fillimisht protestat ishin organizuar në Gjakovë, mirëpo më pas ato u zhvendosën në Prishtinë ku edhe u përkrahen nga partitë opozitare dhe shoqëria civile.
Ndërsa mbrëmë në një konferencë të jashtëzakonshme, kryeministri Mustafa njoftoi se Jabllanoviq nuk është pjesë e Qeverisë së tij.