Rreth romanit,” Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” të Anton Nikë Berishës
(Tungjatjeta “Gjin Bardhela i arbresh!” Në pritsh fjalë për ta abstraktuar arkitekturën e godinës sate, edhe ashtu jo me pakëz labirinte, do të thotë të bëj fjalë shumë, e mua nuk më pëlqejnë fjalët e shumta. Varfëri thonë! Po do të llafos shkurt me ty e për ty në sy burrash. E para, nuk po takohemi për herë të parë se të kam takuar qysh në rininë time të hershme, kur si në përrallë m’i ka thënë nja dy fjalë gjyshi im i mirë, Halit Tomaku i Tomakëve të Pogragjës….E dyta, tani, teksa po përcjell rrugëtimin tënd, nuk po ta kundroj “historinë” në ligjëratën e sofistikuar, të kursyer e shprehjesh të zgjedhura medoemos, sepse po më frymëzon iluzioni që ke ngritur për realitetin e kohës nga legjendat e Arbrit…)
Shkruan: Sherafedin Kadriu
***
Anton N. Berisha ka njohje thellësore të letërsisë, prandaj është kjo arsyeja pse është përkujdesur kaq shumë për linjën arkitekturale të këtij romani, të cilën e ka shtjelluar në dy plane: në planin real dhe ireal. I pari ka të bëjë me të sotmen e banorëve të Maqit, një fshat arbëresh i njohur në literaturën shqipe, ku ka lindur De Rada, të cilin autori e ka përshkruar natyrshëm, duke e pikturuar me nuanca ngjyrash, siç është vetë ambienti kalabrez, ndërsa linja tjetër arkitekturale, irealja a fiksioni, ndërtohet mbi legjendat e radhitura pa besueshëm se mund të lidhen dhe të funksionojnë si një tërësi. Parë si një i vetëm, dyplanëshi i romanit shpërndërron ngjyrat bazë nga terri në flakë.
Subjekt-çështja e këtij romani nuk formësohet nga ato nënshtresat tradicionale, prandaj del më e ngatërruar, më e komplikuar – origjinale do të thoshim. Një kompozim të këtillë N. Fraj do ta krahasonte me një gotë argjendi në vitrinën e dyqanit, e gatshme për t’u thyer edhe nga pakujdesia më e vogël, dhe jo vetëm një pjesë e saj, po e tëra; e që të mos ndodhte diçka e tillë, Anton Nikë Berisha është kujdesur deri në fanatizëm për strukturimin dhe kompozimin e veprës së tij.
Duke qenë se e njeh mirë njeriun e Maqit, se ka kohë që jeton me ta, autori është motivuar nga e sotmja e tyre, për çfarë mund ta kishte rolin e gjykatësit të së hidhurës, e cila vjen në fund si “etje e gurëzuar”, por mjeshtëria artistike, përkatësisht shkrirja organike e talentit dhe aftësisë profesionale, ka ndërthurur thellësisht jetën aktuale të maqiotëve me legjendarizimin e motivuar në përmbajtjen e veprës që shpreh riprodhimin e aktualitetit të së shkuarës, duke e ngucur aktualitetin e të sotmes, për vizon të së ardhmes.
Ç’është e vërteta, bota e brendshme e personazhit të Gjin Bardhelës është ajo që pasqyrohet në këtë roman. Kjo botë neurozash, megjithatë shoqërohet me veprime reale, të cilat ndonjëherë dalin konfuze.
Me të drejtë mund të thuhet se shtjellimi i problemeve është bartur mjeshtërisht në rrafshin identifikues, ku individualja njësohet me kolektiven, të cilat së bashku filozofojnë pastaj për dashurinë, tradhtinë, bujarinë, besnikërinë, gjeturinë, trimërinë, traditën e të parëve, vazhdimësinë e saj, Dheun e Matanë Dejtit Jon dhe jetën e vdekjen.
Ky motivim treshtresor sjell një strukturim unikat në letërsinë tonë, që shpreh kombinimet e panumërta të mikrostrkturave, të cilat në fund të fundit përbëjnë makrostrukturën e veprës dhe të manifestimit jo vetëm të kontekstit poetik, por thjeshtë edhe të tekstit poetik, e rithem, të tekstit poetik, të cilin autori e ka parapëlqyer për rrëfim, duke e karakterizuar prozën e tij me këtë element parësor. Ç’është e vërteta, tekstet poetike të prozave, si të mirëfillta, e jo si praktikë e antiromanit, janë të rralla në letërsinë shqipe.
Në këtë rrallësi spikat Anton Pashku që mund të konsiderohet një prijës i vërtetë i strukturimit mjeshtëror dhe ndërtimit poetik të tekstit letrar. Anton N. Berisha ka bërë hapa të mëdhenj në këtë aspekt, por një ndikim i drejtpërdrejtë a i tërthortë nga Pashku, edhe mund të jetë. Në mos qoftë as njëri e as tjetri, së paku një shoqërim me tekstin poetik të Pashkut (sidomos në përpunimi n e gjuhës poetike) i ka ndodhur dhe nuk ka sesi të mohohet.
Irealja në funksion të shpërfaqjes së shprehjeve poetike
Shprehjet figurative, metafora të shtrira e simbole nga më të ndryshmet, i rrinë përkarshi kërkesës së parë të Tom Xhons, Agaton dhe Vilhelm Majster se “romani nuk duhet të jetë ‘poetik’ në atë masë, siç janë poetike zhanret e tjera të letërsisë”. Ky guxim nuk është i rastësishëm, sepse vjen nga një autor i sprovuar në fushën e krijimtarisë me vepra të shumta letrare, por edhe nga një njohës i shkëlqyeshëm, bile edhe ideues i teorisë së letërsisë.
Për të qenë një roman poetik, duket se e ka të domosdoshëm zhvillimin e linjës ireale(?). Po kjo gjë ndodh me romanin “Gjin Bardhela i arbëresh”. Irealja në këtë roman merr trajtë të kombinatorikës zbërthyese, duke qenë njëkohësisht në funksion të shpërfaqjes së shprehjeve poetike, të thyerjeve të shpeshta meditative sa në realitet, aq jashtë tij. Thyerjet e tilla, sidomos në linjën e narracionit, mendimet e idetë nga më të ndryshmet, e edhe veprimet, individualizojnë karaktere psikologjike të të dy botëve….
Kjo karakteristikë rezulton nga vetë interesimi i autorit që proza të rrëfehet figurshëm, bashkë me meditimet dhe dialogët pa përjashtim. Narracioni ka një fleksibilitet që kërkon lexim të vëmendshëm, ndërsa meditimet qëndrojnë në skajin e të gjallërishmes, e cila kur shoqërohet me monologë e dialogë personazhesh, karakterizohet për bukurinë e shprehjes, larg të madhërishmes, për të mos rrezikuar funksionin e fleksibilitetit.
Në këtë mënyrë teksti artistik del të jetë më kompleks sesa zakonisht ndodh me tekstet e këtilla. Kompleksiteti ndërtohet nëpërmjet përshkrimit të ambientit, situatave të caktuara, analizës së akëcilit fenomen shpeshherë me shkronjat në kursiv, meditimit, gjykimit, shtjellimit dyplanësh zhgjëndërr-ëndërr, se ndryshe nuk do të lidheshin aq mirë e aq rrjedhshëm legjenda të ndryshme me bartësin tyre, Gjin Bardhelën.
Rrëfejzat e brejtura të kapitullit të parë nisin me një luftë ndjenjash të përziera të Gjin Bardhelës, që e “përcëllojnë trurin e tij me një flakëzim psikologjik”, që po vinte bashkë me hijet e muzgut të parë, për t’ia sosur edhe heshtjen, a “për t’ia fikë shpejt bishtukun e shandanit plak”, jo ngadalë… Rrallë herë, mendimet ia përshkon një dritë që vjen nga gollet më të errëta – dhe papritmas një dëshirë për jetë, po herë tjetër, mendimet e rrëmbejnë si valët e trazuara të detit, të cilat gëlltisin çfarë gjejnë përpara, edhe dritën e jetës… Këto përpëlitje shpirtërore e trauma psikologjike e afrojnë Gjinin me personazhe të Xhojsit e Kafkës, ku dominon një dashuri e munguar që sjell dhe një etje të gurëzuar. Ndërsa, Gjini del si ajo zorra në prush që kryesisht mblidhet nga i nxehti i gacave; e ndonjë shtrirje e rastësishme nuk e shpëton nga djegia totale.
Në rrugën e gjatë, që nga fëmijëria e mbamendjes, deri te burrëria e fishkur, pak para etjes së gurëzuar, që përfshin 16 kapituj të romanit, parakalojnë në sytë e mendjes së tij një varg ngjarjesh të jetuara, që shkojnë e humbin posa kalon në botën e amshueshme, në atë botë stagnore, ku analizat e bëmave të individëve, për habi, dalin më serioze në raport me realen.
Dhe, dominon ajo jehona e largët që ish shumë e afërt: Atje kaaam … të mbuluar, të mbuluar nën dhee… (f. 16), që shkon përtej mesjetës, thellë në prehistorinë e Galabërve, që i dhanë emrin Kalabrisë së gjyshit të parë që zuri vend në të, e bëri të veten, po me mendjen te Atje …, me kujtimin për Atje…, përcjellë te Gjini nëpërmjet gdhendjeve të kulteve ilire: pikëzimi i diellit me rreze dhe gjarpri që zinte vendin kryesor në kaptellin e djepit, si dhe rrëfejzave të Gjyshes Mri.
Rrëfejzat edhe mund të jenë të tipit harrna-harrna, të harresës që vjen copëza-copëza, po mu si të tilla ato tundojnë shpirtin e Gjinit, sa t’ia ndërkallin fuqishëm dyzimin e pafund për jetë a vdekje identitare. Edhe gjatë këtyre përpëlitjeve, shpeshherë Gjinit nuk i mungon thellësia e të menduarit kritik sepse për secilën ngjarje a legjendë depërton arsyeshëm në thellësitë e konfigurimit mitik, pastaj për ta zhveshur ndryshe nga psikanaliza frojdiane. Njerëzit e prishnin urën. Po më lehtë ishte që faji të bartej në qeniet mitike, arsyeton Gjini për urën legjendë të pandrequr asnjëherë nga tre vëllezërit.
Dhe janë një varg legjendash që shpërfaqen para lexuesit: dragoi e kuçedra, mbjellja e drudhëzave të dheut që po mbarohej, këmisha e gjarprit, besa e Konstandinit, ura e tre vëllezërve, i Bukuri i Dheut, e Bukura e Dheut e sa të tjera që analizohen edhe në botën e amshueshme.
** *
Pa dashur të diferencojmë, diferenca shfaqet vetvetiu, si fat ose si mallkim. Diferencën e bëjnë familjet princërore mesjetare të Arbrit të Gjergjit. Për mbi pesë shekuj nuk e harruan atdheun e të parëve, as sot, edhe nëse s’e panë asnjëherë. Dhe për të mos harruar identitet, kur nuk u mbeti as edhe një drudhëz dheu nga dheu i të parëve, të vdekurit u mbuluan “me fjalë dhe rapsodi se pa to gjindja jonë do t’i takonin vetëm kujtimit të gurëzuar në muze”…, ata i mbulojnë me të kaluarën dhe me kujtimet me atë që ka bërë shtegtimin e tyre jetësor, të tyre e të paraardhësve sepa të kaluarën njeriu është pemë pa rrënjë, – i flet Gjinit ai zëri i brendshëm që është më i fuqishëm se përplasja ndërmjet ëndrrës dhe zhgjëndrrës.
Gjini është nga ato personazhet e dendura (sipas Fosterit) që konsiston në aftësinë për të na befasuar në mënyrë të bindshme sidomos me përpjekjet e tij për ta kapur bregun e jetës në detin e trazuar, ani pse nuk del fitimtar. Ato përpjekje në detin e trazuar të globalizmit edhe mund të dështojnë, në qoftë se tanët lexojnë pak, fare pak. Ata njëmend bëjnë punët e veta të mbijetesës, po nuk mund të mbijetojnë kështu, vetëm me kulturën gojore …(f. 66), shprehet Poeti. Kjo frikë e arsyeshme e Poetit, e sforcuar patjetër, nuk është përfaqësuese e shtjellimit ideor të romanit, sepse nuk është zhbërja e arbërve ajo që do të ndodhë, por gjakimi për gjallimin e tyre me identitet identifikues në trojet e huaja, që tashmë janë të tyre.
Realiteti dhe irealiteti në roman, njëmend janë afër, por lexuesi e di kur fillon njëri, e kur mbaron tjetri, ani pse irealiteti lexohet si realitet. Në fund të fundit, irealiteti bazën e ka në realen. Pra, personazhet e realitetit dhe të irealitetit, njësoj dalin të tipizuar. Aty janë: Gjyshja Mri, nënë Dranja, Kësheta, babë Frangu, Mata i Mazrrekut, Konstandini, Garendina, gruaja e Qelisë 1313 etj. që i takojnë botës tjetër, por aty janë edhe Gjini, Radi, Magdalena, Kallina, Gjuri, etj. që i takojnë botës sonë. Marrëdhëniet ndërmjet tyre janë fort me rëndësi, sepse ato kanë përcaktuar sjelljet dhe bëmat e arbëreshëve, ndërsa liria që gëzojnë këto personazhe të Anton N. Berishës në meditime, sjellje, gjykime, veprime etj, e kushtëzuar nga dashuria për Atdheun e Të Parëve, sjell një temperament më të butë sesa agresiv, një karakter që përcakton rrugën e tyre të mundimshme identifikuese.
Dy tri fjalë për gjuhën e romanit
Edhe dy-tri fjalë për gjuhën e romanit. Nuk thuhet kot:teksti poetik, në këtë rast, proza është shtjellim fjalësh. Në roman, fjalët i japin kuptim jetës. Disa prej tyre janë shprehje arbëreshe, që i japin ngjyrën largësisë apo afërsisë, përshkrimit dhe meditimit njëkohësisht. Bashkë me këto shprehje shkojnë edhe ato të terminologjisë me motive detare. Janë edhe disa shprehje të gegërishtes të aktualizuara fort me vend, si tfillet, kjason, rrëshinë, kaptyell, shkymte, vetimë etj.
Sa jemi këtu, do duhej theksuar se Anton Nikë Berisha, është nga ata dijetarë, që përdorë gjuhën standarde në çdo rast, por shkrimi i disa fjalëve ndryshe, duket se është bërë qëllimshëm, sa për të zgjuar interesimin për ndreqje të tyre. P.sh. ai shkruan: mbrendapërmbrenda për brendapërbrenda, formon një neologjizëm me nistoren m, mbrendësore, pastaj shkruan edhe ndëgjoj etj. Mendojmë se autori është njohës edhe i fonologjisë, dhe se ka pasur parasysh opozicionin për të përcaktuar drejt njësitë relevante të fonemave të caktuara, mesin fonik të përdorimit të tyre etj. Po u panë në këtë aspekt këto fjalë, atëherë do duhej konstatuar se mesi fonik është tejet i rëndësishëm dhe se prerjet gjuhësore flasin për më shumë se sa do të thoshim në shpejtësi. M dhe n janë dy bashkëtingëllore që në mesin fonik të mbrendapërmbrenda luajnë rolin primar në përcaktimin e semës së fjalës. Pra, nuk janë bashkëtingëlloret b dhe d. Tjetër është prerja fonike për të konstatuar alofonin ose variantin.
Mjafton të trajtohet vetëm mbrenda, për të parë më qartë rolin e m dhe n. Te dy këto fonema mund ta shprehin semën e fjalës brenda pa b dhe d dhe të jetë e qartë për të gjithë shqipfolësit, ashtu siç e thonë edhe sot në gegërishte: M r e N a, pa grupin bashkëtingëllor mb dhe nd. Po të provojmë të kundërtën, të heqim m dhe n dhe të përdorim dy fonemat tjera b dhe d, do të shohim se bëhet fjalë për një semë ose të pa qartë, ose e ndryshme nga sema që përcakton brendësi: B r e D a. Semën e shprehjes BreDa, nëse do të mund të flitej për farë seme, do thoshim fare sigurt se nuk e kupton as ai nga jugu e as nga veriu. E pra, janë mdhe n fonemat bazë të fjalës që tregon brendësi, prandaj do duhej që m si nistore të kthehet në përdorim. Po kështu mund të thuhet edhe për nistoren e n të fjalës dëgjoj, pra të shkruhet ndëgjoj, se alofonet e saj në gegërishte, megjithatë janë të qarta edhe për toskërishten, si ni, ngoj, nigoj etj., ndërsa, pa n, një formim i alofoneve do thoshte: di, dgoj, digoj etj.
Të rëndësishme paraqiten disa neologjizma të cilët do ta pasurojnë fjalorin e shqipes, si: shkëndilzash, vezullimëzash, gjallërik, ndjenjësim, pikërrimë, fshehtësore, mashkullsinë, thëngjilluar, trezohej, përëndërrt, motrore, mjegullazë, vdeksor, akullsonte, zhurima, thikëzuar, shkëmbësisë etj.
Leximi i këtij romani ndonjëherë të detyron ta lexosh edhe fjalorin e shqipes, sepse autori ka vënë në përdorim shprehje të rralla, që nuk hasen në përditshmërinë tonë, si buthtoi, përshkënditje etj.
Dhe krejt në fund, do të thoshim se Anton Nikë Berisha, ka arritur që në fushën e krijimtarisë letrare artistike, së paku gjer në këtë periudhë kohore për sa krijon, ta krijojë veprën e jetës së tij. Një roman i këtillë, ç’është e vërteta nuk krijohet njëherë të dytë.