Agjencia për Mbrojtjen e Memorialëve të luftës së fundit në Kosovë, është themeluar në gusht të vitit të kaluar. Drejtor i këtij institucioni, Idriz Blakaj, thotë se kanë pasur vështirësi në fillimin e punës, por tani janë duke e konsoliduar stafin i cili do të ketë nëntë zyrtar.
Në fund të vitit të kaluar, kësaj Agjencie i ishin transferuar 700 mijë euro nga Ministria e Mjedisit, për investime kapitale në memorialin Adem Jashari në Prekaz.
“Kemi shpallur projektin për sjelljen e ujit nga kanali i Ujëmanit në Prekaz. Para dy viteve është angazhuar një kompani për sigurimin e ujit, por ka dështuar sepse nën 20 metra thellësi në Prekaz del qymyri dhe si rrjedhojë nuk ka ujë. Prandaj kemi qenë të detyruar që ta marrin ujin nga Mitrovica dhe projekti është para përfundimit. Besoj se deri në qershor uji do të jetë në Prekaz”, thotë Blakaj, shkruna Tribuna.
Ai tregon se është duke u proceduar edhe tenderi për vendosjen e pikave, për përkufizimin e memorialit i cili përfshin rreth 459 hektar.
“Do të bëhet piketimi, kufizimi i kompleksit, do të ndahen parcelat dhe do të krijohen hartat. Tenderi ka dështuar tri herë për shkak se ka qenë vetëm një kompani e përgjegjshme. Tash është përsëri në procedurë të tenderimit”, shton ai.
Blakaj thekson se tender do të shpallet edhe për një plan të menaxhimit për mirëmbajtjen e memorialëve.
“Do të krijojmë së pari një plan të menaxhimit dhe pastaj do të shohim nëse atë do ta implementojë vetë Agjencia apo do të angazhojmë ndonjë kompani. Janë dy variante dhe do të shohim se cila është më e leverdishme”, deklaron Blakaj. /Tribuna/