Në komunën e Vitisë është përkujtuar mjeku i njohur i kësaj ane Doktor Feti Hetemi, me rastin e një vjetorit të vdekjes së tij.
Në varrezat e qytetit janë bënë homazhe dhe u vendosën kurora lulesh tek varri i mjekut që kishte humbur betejën me Covid-19.
Më pas në Shtëpinë e Kulturës nën organizimin e familjes, është mbajtur një Akademi Përkujtimore kushtuar Hetemit i cili ishte specialist i mjekësisë interne.
Përfaqësues nga Oda e Mjekëve e kanë vlerësuar Hetemin përveç si një profesionist shëndetësor, edhe për kontributin e çmuar që nga vitet e 90-ta si kryetar i Shoqatës “Nënë Tereza” në regjionin e Vitisë. U tha se Hetemi kishte ngritur sistemin paralel të shëndetësisë në Anamoravë dhe gjithashtu kishte qenë i angazhuar si mjek në Zonën Operative të Karadakut në Ushtrinë Clirimtare të Kosovës (UCK) me trajtimin mjekësor të të plagosurve.
Ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, ku ka vepruar Hetemi, ka vlerësuar lartë rolin e tij, gjatë kohës së luftës dhe pas si mjek në shërbim të popullit pa dallim.
Nënkryetari i Vitisë, Hasan Aliu, tha se Hetemi mbetet njëri ndër personalitetet më të dalluara të Anamoravës për kontributin e tij në shërbim të vendit.
Aliu e ka quajtur Hetemin një humanist të madh që bën Vitinë krenare dhe jo vetëm.
Në emër të familjes ka folur vajza Mirjeta e cila ka evokuar kujtime nga jeta me të.
Gjatë kësaj ngjarje, familja në nderim të prindit të tyre, bëri edhe ndarjen e bursës studentore “Dr. Feti Hetemi”, fitueses përmes konkurrimit, studentes së mjekësisë Blerona Ostorgllava në vlerë 500 euro. Nga shoqata humanitare “Nëna Terezë” dhe nga komuna u ndan mirënjohje postmortum.
Në vitet e 80-ta Hetemi ishte delegat i Kuvendit të Kosovës, ku me iniciativën e tij themelohet Qendra për Hemodializë në Spitalin regjional të Gjilanit dhe Dispanserinë për Nefrologji në Viti. Në fund është shfaqur filmi dokumentar kushtuar jetës së mjekut vitias ku përmes rrëfimeve të atyre që e njohën nga afër, pasqyrohet vepra shumëdimensionale që ai la si trashëgimi.