Agjencia për Informim dhe Privatësi bënë të ditur se ka pranuar shqetësime nga bizneset e ndryshme (kontrolluesit) rreth krijimit të faqeve të rreme online në emër të këtyre bizneseve.
Sipas kësaj agjencie, këto faqe synojnë të mashtrojnë qytetarët dhe të vjedhin të dhënat personale dhe financiare të tyre duke ofruar shpërblime të ndryshme.
Agjencia për Informim dhe Privatësi ka kërkuar nga qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin këto udhëzime:
• Verifikoni burimin e informacionit, duke u siguruar që informacioni vjen nga kanalet zyrtare të bizneseve.
• Ndani të dhënat me kujdes, mos ndani të dhëna personale në faqet e dyshimta, përfshirë numrin e kartelës, numrin e telefonit apo të dhëna personale të ngjashme.
• Raportoni keqpërdorimin, nëse keni qenë viktimë e këtyre mashtrimeve, raportoni ngjarjen tek bizneset reale, si dhe raportoni në Policinë e Kosovës.
Agjencia për Informim dhe Privatësi, është në komunikim me Policinë e Kosovës dhe zyrtarisht ka kërkuar nga Policia e Kosovës hetimin e këtyre mashtrimeve të dënueshme edhe me Kodin Penal të Kosovës, thuhet në njoftimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi. /2LONLINE/