Nga java që vjen kufiri i Serbisë me Maqedoninë do të patrullohet nga patrulla të përbashkëta të policisë serbe, hungareze dhe austriake. Kështu u bë e ditur sot pas një takimi që u zhvillua ndërmjet Drejtorëve të Policisë së Serbisë dhe Hungarisë Miloraq Veljoviq respektivisht Karolj Pap.
Ata u morën vesh që nga java e ardhshme patrullat e përbashkëta të policisë serbe, hungareze dhe austriake të patrullojnë përgjatë kufirit me Maqedoninë.
“Në kufirin e Serbisë me Maqedoninë, nga e hëna, me oficerët e policisë serbe do të jenë të pranishëm, dhe 20 kolegë nga Hungaria me katër automjete me kamerat më të reja të imazhit termik”, tha Veljoviq pas takimit me homologun e tij hungarez, Pap, bëhet e ditur nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë.
Ai tha se në kufi me Maqedoninë dhe Bullgarinë çdo ditë rreth 1.000 njerëz dëshirojnë të hynë në territorin e Serbisë, dhe pastaj të vazhdojë përmes Hungarisë në BE, thuhet në kumtesën e MPB të Serbisë, transmeton Titulli.com.
“Ky është një problem tejet serioz, dhe nga e hëna ekipet tona do të patrullojnë në këtë pjesë së bashku me kolegët nga Austria, ndoshta edhe nga Gjermania”, tha Veljoviq.
Drejtorët e policisë së Serbisë dhe Hungarisë, konstatuan se emigrantët e parregullt nuk janë problem i vetëm i Serbisë dhe Hungarisë, por i të gjithë Evropës.
Takimi i Drejtorëve policisë së dy vendeve u iniciua nga ministrat përkatës. Veljoviç dhe Pap kanë diskutuar edhe për krijimin e ekipeve të përbashkëta për të luftuar krimin, në të cilat përpos policëve hungarezë, gjermanë dhe austriakë, do të jenë edhe policë nga Serbia.