Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, në një prononcim për Telegrafin ka deklaruar se kushtëzimet e Krstimir Pantiqit drejtuar Qeverisë së Kosovës, që ai do të të rikandidojë për të parin e komunës Mitrovica e veriut vetëm nëse Prishtina zyrtare garanton se i gjithë procesi zgjedhor do të jetë neutral ndaj statusi, janë të papërfillshme.
Kuçi theksoi se kjo çështje është e qartë me marrëveshjet e arritura në Bruksel në mes Prishtinës dhe Beogradit, për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve.
“Besoj se Pantiq ka marrë leksion nga zgjedhjet e kaluara”, ka thënë Kuçi për Telegrafin.
Ish-kandidati i listës “Srpska” për kryetar të Mitrovicës së veriut, Kërstimir Pantiq, i cili duke mos u betuar ktheu gjithë procesin mbrapsht, i ka çuar “selam” Prishtinës, se do të rikandidojë për kryetar të Mitrovicës së veriut, vetëm me kushtin që të plotësohen kërkesat e tij dhe për këto të marrë garanci.
Ai ka deklaruar për media se do të mendojë për rikandidim, vetëm në rast se Prishtina e garanton atë se i gjithë procesi zgjedhor do të jetë neutral ndaj statusit dhe nëse të gjitha komunat veriore do të fitojnë status të veçantë.