(2L ONLINE) – Komiteti për Shërbime Publike (KSHP) e ka shqyrtuar të mërkurën Planin komunal për efiçiencë të energjisë (PKEE) për periudhën 2014 – 2020 dhe me vota të përgjithshme të anëtarëve të pranishëm në mbledhje, e ka rekomanduar për procedurë të mëtejme.
Agim Salihu, anëtar i grupit për hartimin e kësaj strategjie, ka thënë se me këtë plan komunal, që është obligim ligjor, synohet reduktimi i konsumit të energjisë në ndërtesa, transport dhe ndriçim publik.
Në lidhje me konsumin e energjisë në komunën e Gjilanit, deri më tani nuk janë kryer studime gjithëpërfshirëse. Në komunë nuk ekziston zyra për energji dhe as menaxher i energjisë, që do të kishte për detyrë hartimin e planeve dhe projekteve për kursimin e energjisë, por ka vetëm një koordinator për energji, i cili merret edhe me detyra tjera.
Salihu ka thënë se kursimi i energjisë është problem global. Synohet që deri në vitin 2020, konsumi ë ulet për 20 për qind. Komisioni Evropian (KE) është duke u përgatitur fonde për programe të kursimit të energjisë edhe në Kosovë dhe Salihu beson që edhe Gjilani do të jetë në grupin e parë të komunave përfituese.
Sipas tij, objektet në Kosovë, përfshirë edhe Gjilanin, kanë nevojë për një auditim energjetik, sepse janë shpenzues të mëdhenj të energjisë, për të identifikuar shkaqet.
Në komunën e Gjilanit, aktualisht shpenzohen rreth 12 mijë MW energji elektrike në vit. Përmbushja e kritereve të planit për energji efiçiente mundëson të kursehen mbi 7 mijë mega wat.
Agim SALIHU
Sa i përket shpenzimeve të energjisë, Azem Mujku nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, e ka ngritur si dilemë edhe çështjen e besueshmërisë në matje.
Sokol Haziri, drejtor i Shërbimeve Publike, ka kërkuar nga Komiteti i linjës që ta përkrahë këtë plan, sepse është në interes së Komunës së Gjilanit dhe të qytetarëve të saj dhe nuk duhet të shihet si sukses i asnjë subjekti politik.
Isa Agushi, kryesues i KSHP ka thënë se ne kemi nevojë për çdo cent, duke shtuar se vetëm komunat që kanë plane e projekte të gatshme mund të përfitojnë investime nga donatorët. Ai e ka përgëzuar grupin komunal për punën që ka bërë në hartimin e këtij plani për efiçiencë të energjisë. /2L ONLINE/