Nga: Ismet TAFILI
/2L ONLINE/ – Naim Kastrati nga fshati Hogosht ruan një kryq dhe një eksponat ne formë të rrumbullakët me një vrimë në mes që mund të jetë edhe guri i mokrës. Siç na rrëfen Sali Kastrati, këto eksponate janë gjetur nga Sabit, Qemal e Isa Kastrati para 30 viteve, në arën, tani e Hamdi Biçkut. Në këtë vend ka ekzistuar një kishë, ndërsa edhe sot, në këtë arë gjendet nekropoli i periudhës antike, sikurse edhe pjesë të shumta të qeramikës. Në brendësi ka pasur varre të cilat janë gjetur eshtra edhe fragmente të qypave (pitosa). Më poshtë varrit është gjetur një tjetër pitos më i madh, ndërsa për skaj rrugës janë gjetur edhe kafka njerëzish.
Ky nekropol, sipas Naim Kastratit, banor i Hogoshtit, i cili mbështetet në ekspeditat e bëra nga hulumtuesit e arkeologjisë në Kosovë, është e dyta në Kosovë e këtij lloji.
Kryqi, siç e përmendëm më lartë, është gjetur në këtë vend dhe është i punuar prej guri. Në pjesën e sipërme është i dëmtuar pak. Lartësia e tij arrin 36 cm., ndërsa gjerësia, në krahët e kryqit, 33 cm. Po ashtu në mes të këtij është i gravuar një kryq tjetër më i vogël me dimension 17X13 cm.
Se cilës kohë (periudhë) i takon, ekspertët duhet ta japin mendimin profesional, por mendohet se i takon kishave paleokristiane Dardane, pra aty rreth shek. IV-VI. /2L ONLINE/