(2LONLINE) – Një delegacion i MAPL-së i kryesuar nga zv.ministri Basri Musmurati ka vizituar Komunën e Kamenicës. Komuna ka marrë mbështetjen e plotë nga zv.ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Basri Musmurati.
Gjatë pritjes që i është bërë nga Kryetari i Komunës Begzad Sinani me bashkëpunëtorët u fol për sfidat me të cilat po ballafaqohet qeverisja e re komunale, si dhe me nevojat që ka komuna në rregullimin e infrastrukturës.
“MAPL dhe Qeveria e Kosovës do të mbështesin Komunën e Kamenicës me projekte të ndryshme dhe ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në realizimin e kërkesave Tuaja për të përmirësuar jetën e qytetarëve këtu” tha zv.ministri Basri Musmurati.
Kryetari i Komunës së Kamenicës Begzad Sinani e ka falënderuar mysafirin për vizitën dhe ka përmendur nevojat e shumta që ka Kamenica,
“Është një vullnet i yni dhe një përkushtim i madh për të punuar pandërprerë për të krijuar kushte më të mira jetese për banorët, Komuna e Kamenicës ka nevojë dhe kërkon mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës në shumë fusha. Pas përfundimit të rrugës Hogosh – Poliqkë, është një zonë tjetër e cila ka mbetur shumë keq dhe kërkohet që të intervenohet në të, janë rrugët Poliqkë – Velegllavë dhe Desivojcë – Velegllavë që janë në pjesën më të madhe të vitit të pakalueshme dhe shkaktojnë vështirësi të shumta për banorët e atjeshëm. Komuna është e interesuar për zhvillimin e turizmit rural që do të zhvillohej përmes rregullimit të rrugës Kitkë – Lisockë – Shahiq për të cilën poashtu na nevojitet mbështetje nga qeveria” tha kryetari Begzad Sinani.
Në takim u arrit pajtueshmëria që të shtohen kontaktet mes të institucioneve locale dhe atyre qendrore me qëllim të bashkëpunimit sa më të mirë. /2lonline/