Komuna e Kamenicës është duke u shëruar nga COVID-19, pasi që nga 39 persona të infektuar, 35 prej tyre janë shëruar.
Kryetari i Komunës Qëndron Kastrati së bashku me koordinatorin e Shtabit Emergjent Komunal kanë vizituar sot fshatin Poliqkë, fshat në të cilin ka akoma të infektuar dhe një person pritet të ritestohet sot.
Kastrati tha se nga ekipi policor u njoftua mbi gjendjen aktuale, dhe se të gjithë të izoluarit po i respektojnë udhëzimet e dhëna.
“Nga ekipi policor që e monitoron këtë pjesë, u njoftuam mbi gjendjen aktuale në fshat. Të gjithë nga të izoluarit po i respektojnë udhëzimet, për çka shpresoj që edhe katër personat e mbetur nga Poliqka, do të shërohen plotësisht. Faleminderit qytetarëve për përgjegjshmërinë e treguar gjatë gjithë kësaj kohe, koordinatorin Basha dhe gjithë kolegët tjerë për punën”, tha Kastrati.
Ndërsa koordinatori i Shtabit Emergjent Komunal, Ramadan Basha, tha se gjendja momentale në Kamenicë është e qetë, dhe se në ditët në vijim duhet një bashkëpunim dhe kujdes më i madh nga qytetarët.
“Kamenica po i rikthehet normalitetit të dikurshme, të gjithë bashkë na duhet edhe pak disiplinë dhe kujdes. Respektoni rekomandimet e dhëna nga orhanet kompetente”, ka thënë Basha.