/2L ONLINE/ – Seanca e sotme e Kuvendit Komunal të Gjilanit sa ka nisur, është dashtë të kërkohet pauzë dhjetëminutëshe, për faktin se sot i pranishëm ka qenë edhe anëtari i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, Sërgjan Mitroviq, i cili që sa kohë përjashtohej nga seancat, prej se ai ishte zgjedhur edhe “kryetar” i Gjilanit, në strukturat paralele.
Me që Mitroviq ishte i pranishëm, është kërkuar nga ai që të deklarohet se a i takon strukturave paralele apo është përfaqësues i të zgjedhurve të tij në Kuvendin komunal të Gjilanit, dhe kjo i është kërkuar të dokumentohet me dokument të shfuqizimit të atij vendimi ku ai është zgjedhur “kryetar” komune.
Me këtë rast, sërish kuvendarët kanë marrë vendim që ai të përjashtohet edhe nga seanca e sotme deri sa ta dokumentojë se është tërhequr nga strukturat paralele, se i takon vetëm strukturës së Kuvendit ku i përfaqëson interesat e serbëve lokal.
Mitroviq ka dhënë sqarimi ne tij se në këtë Kuvend është në cilësinë e përfaqësuesit të serbëve që e kanë votuar për të qenë pjesë e këtij Kuvendi, por kjo nuk piu “ujë”, te pjesa tjetër e kuvendarëve të cilët votuan për përjashtimin e tij nga kjo seancë.
Mitroviqit i mbetet ta sjellë vendimin që nuk është më pjesë e strukturave paralele nëse do të jetë pjesë e Kuvendit Komunal të Gjilanit. Përndryshe, vendimin për përjashtimin e sotëm nga kjo seancë ai e ka kërkuar edhe me shkrim dhe për këtë kryesuesja Valentina Bunjaku -Rexhepi ka kërkuar pauzë dhjetëminutëshe që atij t’i bëhet vendimi dhe t’i dorëzohet. /2L ONLINE/