Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, së bashku me Koordinatorin e Shtabit Emergjent Komunal, Ramadan Basha, si dhe Drejtoreshën e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Suna Zajmi-Krasniqi, kanë vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kamenicë.
Gjatë këtij takimi u diskutua lidhur me situatën e krijuar nga COVID-19 dhe menaxhimin e saj nga personeli mjekësor në Komunën e Kamenicës.
I pari i komunës, Qëndron Kastrati, tha se është krenar me punën e gjithë personalit mjekësor në luftën ndaj pandemisë.
“Ditën e nisëm me vizitë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kamenicë. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKMF-së Besim Beqiraj dhe gjithë personeli mjekësor, po bëjnë një punë të mrekullueshme në luftën ndaj pandemisë. Edhe pse me kapacitete minimale, po arrijnë menaxhimin e mirë në QKMF, QMF e pikën kufitare “Dheu i Bardhë”. Krenar me punën e të gjithëve pa dallim”, tha Kastrati.
Koordinatori i Shtabit Emergjent Komunal, Ramadan Basha falënderoi stafin mjekësor për gatishmërinë e treguar gjatë këtyre muajve.
“Falënderojm personelin mjekësor për gatishmërinë e treguar gjatë këtyre muajve, e vlerësojmë lart punën e gjithë stafit të treguar në vijat e para të frontit, ata do ta kenë mbështetjen tonë gjithmonë”, tha Basha.
Edhe Drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Suna Zajmi-Krasniqi, tha se është shumë falënderuese për punë e bërë deri më sot nga gjithë stafi mjekësor i komunës tonë.
“I falënderojmë gjithë stafin mjekësor dhe i dëshirojmë suksese në punë, neve do të na keni gjithmonë mbrapa për gjithçka që do të keni nevojë, besoj se deri në fund të kësaj pandemie do të ec gjithçka siç është më së miri”, tha Zajmi-Krasniqi.
Ndërsa u.d i QKMF-së, Besim Beqiraj duke falënderuar komunën për mbështetjen e dhënë në vazhdimësi, njoftoi kryetarin dhe stafin tjetër për punët e realizuara deri më sot.
“ I gjithë personeli mjekësor gjatë kësaj periudhe ka dhënë maksimumin duke punuar pa ndalur, përpos në QKMF dhe QMF-të tjera ekipet mjekësore çdo ditë kanë menaxhuar edhe kufirin e “Dheut të Bardhë”. Falënderojmë komunën për mbështetjen dhe gjithë qytetarët për mirëkuptimin e treguar”, tha ai.
Mbaj distancë, vendos maskën, mbroje vetën dhe familjen!