Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, sot ka takuar ministren e Ekonomisë, Hykmete Bajrami dhe ministrin e Arsimit, Ramë Likaj.
Kastrati me ministren Bajrami ka diskutuar për situatën ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19 dhe për rishikimin e buxhetit. Kurse me ministrin Likaj, kryetari Kastrati diskutoi për mësimin nga distanca dhe mbajtjen e testit të maturës.
“Sot pata takime me Ministrinë e Financave dhe atë të Arsimit dhe Shkencës. Në takimin me ministren e Ministrisë së Financave Hykmete Bajrami dhe kryetarët tjerë të komunave të Kosovës, diskutuam për menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe situatën ekonomike të shkaktuar nga virusi Korona. Nga ministrja Bajrami kërkuam përkrahje për tejkalimin e situatës emergjente të krijuar nga virusi SARS-CoV-2. Pos kësaj, diskutuam për rishikim të buxhetit dhe mbështetjen e komunave për realizimin e investimeve kapitale të parapara për këtë vit.
Kurse, me ministrin e Arsimit dhe Shkencës Ramë Likaj, folëm për mësimin nga distanca, përgatitjet e testit të arritshmërisë e atij të maturës”, ka thënë ai.