Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas.
I pari i komunës, Qëndron Kastrati, ka thënë se me këtë marrëveshje mirëkuptimi qytetarëve të Kamenicës do t’iu ofrohet ndihmë juridike falas për çështje të ndryshme gjyqësore.
“Falenderoj Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas për bashkëpunimin me Komunën e Kamenicës. Tani me këtë marrëveshje qytetarët që nuk kanë mjetë financiare, mund t’i drejtohen zyrës në komunë, për të kërkuar ndihmë juridike falas për çështje të ndryshme. Përmes kësaj ndihme do të rritet qasja në drejtësi për të gjithë qytetarët”, ka thënë ai.
Gjatë takimit me përfaqësues të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, e pranishme ishte edhe zyrtarja Mirsije Ajvazi, e cila pranon kërkesat nga qytetarët në Komunën e Kamenicës për ndihmë juridike falas.
Ndërsa sipas kësaj marrëveshje mirëkuptimi ndihma juridike falas është kategori kushtetuese e paraparë me nenin 31 (E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të paanshëm). Kjo dispozitë kushtetuese ka paraparë që ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare,nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi. /2LONLINE.com/