Është mbajtur sot mbledhja e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, me që rast është diskutuar edhe për situatën e sigurisë në komunën e Vitisë, e cila u vlerësua e qetë dhe stabile.
Me që sipas planit për mbajtjen e mbledhjeve të KKSB-së parashihen të mbahen vetëm 6 mbledhje të rregullta, mbledhja e sotme ishte e shtata, por që u iniciua nga kryetari i komunës Sokol Haliti, ku edhe shprehi falënderim për gjithë angazhimin e të gjitha mekanizmave që e përbëjnë KKSB-në në Viti.
“Fillimisht dua të shpreh falënderime për të gjithë ata që kanë kontribuar në arritjen e një klime të sigurt në komunën e Vitisë. Gjithashtu, uroj qytetarët e Vitisë dhe në përgjithësi të Kosovës për themelimin e ushtrisë e njëkohësisht të falënderoj edhe gjithë ata që e kanë mbështet këtë proces. Por me qenë se jemi në prag të fund vitit, shfrytëzoj nga rasti që në këtë mbledhje edhe të ju shprehi falënderime autoriteteve të Policisë, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe KFOR-it, për gjithë kontributin e dhënë për sigurinë e mirë në komunën tonë”, ka thënë kryetari Haliti.
Ai u ka ndarë mirënjohje për bashkëpunimin e mirë me Institucionet komunale, këtyre tri institucioneve.
Ndërsa komandanti i stacionit policor në Viti Agim Lipovica, duke iu referuar statistikave të para një viti me ato të sivjetme, ka theksuar se me përmbylljen e vitit 2018, po përmbushim edhe një vit të suksesshëm, sa I përket situatës së sigurisë.
“Krahasuar me vitin 2017 kur kishim gjithsej 570 raste të raportuara, sivjet ky numër është zvogëluar dhe kemi pasur 521 raste. Edhe rastet e aksidenteve të komunikacionit kanë shënuar rënie për 10 % , ndërkohë që rënie të ndjeshme të rasteve ka pasur edhe në vjedhje”, ka thënë komandanti Lipovica.
Kurse sa i përket dhunës në familje, ai tha se sivjet janë raportuar më shumë për 5 raste. Sfidë sipas tij për policinë e Kosovës, mbetet dëmtimi I pyjeve, ndërkaq ka falënderuar për mbështetje Institucionet komunale dhe mekanizmat tjerë për mbështetje e bashkëpunim.
Në këtë mbledhje u bë i ditur edhe vendimi I komunës së Vitisë lidhur me përdorimin e fishekzjarrëve gjatë festive të fund vitit. Sipas këtij vendimi, ndalohet përdorimi i fishekzjarrëve dhe mjeteve piroteknike gjatë festive të fund vitit në hapësirat publike dhe zonat e banuara.
Ky vendim ka për qëllim mbrojtjen nga ndotja e ajrit e po ashtu edhe mbrojtjen e shëndetit dhe të sigurisë së qytetarëve, nga rreziku që mund t’iu kanoset nga to.