Kryetari i komunës me vite shpërfillë rregulloren për ndarjen e titujve të nderit dhe çmimeve e mirënjohjeve dhe shpërblimeve, me ç’ rast bëhen shkelje drastike të rregullores, e cila është krijuar në mbështetje të nenit 12 shkronja c) dhe 40.2 pika h) të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale Nr. 03/L-040.
Shkruan: Nevzad Isufi – 2LONLINE.com
E tillë është edhe Rregullorja për dhënien e titujve të nderit, çmimeve, mirënjohjeve dhe shpërblimeve, e miratuar në Kuvendin komunal më 26.11.2018, ndërsa është plotësuar me disa ndryshime më, 27.06.2019.
Veçanërisht në dy vitet e fundit, pavarësisht se kjo rregullore është ndryshuar, ajo përsëri nuk përfillet, madje kemi edhe krijimin e çmimeve të reja, të cilat nuk janë fare në rregullore, siç është çmimi “Heroinat”, i cili u dha nga Kryetari i komunës, me rastin ditës së pavarësisë 17 shkurtit të vitit 2020. Tituj të tillë jep niveli më i lartë shtetëror.
Këto janë çmimet sipas rregullores, të parapara në nenin 2, ku janë 2 tituj dhe 4 çmime, por jo edhe çmimi “Heroinat”. Shih nenin 2 të rregullores;
Neni 2
Titujt dhe çmimet
Kuvendi i Komunës, për kontributet e veçanta që kanë dhënë personalitet e shquara dhe subjektet e tjera juridike, në lëmenjtë e humanizmit, sakrificës, kulturës, artit, letërsisë, sportit etj, jep titujt dhe çmimet si në vijim:
Titullin “Qytetar Nderi”, dhe
Titullin “Nderi i Qytetit“,
Çmimin letrar “Beqir Musliu”,
Çmimin “Agim Ramadani”
Çmimin “Idriz Seferi” dhe
Çmimin “Hanumshahe Abdullahu Zymberi”.
Me rastin e dhënies së titullit të parë (“Qytetar Nderi”) nuk është respektuar pika 8 e nenit 3 të kësaj rregulloreje e cila thotë;
“Iniciativat dhe propozimet nga paragrafi 7 i këtij neni i dorëzohen për procedim të mëtejmë komisionit të zgjedhur nga Kuvendi Komunal, i cili vepron sipas procedurave të parapara me dispozitat e kësaj Rregulloreje”.
Po ashtu edhe te titulli i dytë (“Nderi i Qyteti”) nuk është përfillur neni 4, pika 6 dhe 7, të cilat thonë; “ 6. Propozimet për dhënien e këtij titulli të lartë, duhet të bëhen nga institucione të qeverisjes vendore, së bashku me shoqata dhe grupe qytetarësh, duke mundësuar një pajtim të gjerë e të nevojshëm. Ato duhen të shoqërohen me biografi, dokumente, dëshmi dhe vlerësime të nevojshme të veprimtarisë së personalitetit të propozuar.
7.Iniciativa dhe propozimet, nga paragrafi 6 i këtij neni, i dorëzohen për procedim të mëtejmë komisionit të zgjedhur nga Kuvendi Komunal, i cili vepron sipas procedurave të parapara me dispozita të kësaj Rregulloreje”.
Pra në të dy rastet, te të dy titujt janë dhënë pa procedim sipas neneve dhe pikave të lartpërmendura. Pra, titulli i parë “Qytetar Nderi” nuk i është dorëzuar Komisionit të zgjedhur nga Kuvendi Komunal, ndërsa te titulli “Nderi i Qytetit” është shkelur pika e gjashtë e nenit 4, e cila kërkon që së bashku (pra me të tjerët) me shoqata dhe grupe qytetarësh, duke mundësuar një pajtim të gjerë. Pra, as nuk ka pasur shoqata e as grupe qytetarësh e as pajtim të gjerë. Ndoshta po të pyeteshin edhe do ta merrnin këtë pajtim, por ja që nuk janë pyetur.
Po kështu edhe te dhënia e “çmimeve” kemi pasur shkelje të procedurave dhe neneve të caktuara të rregullores së lartpërmendur edhe për kundër faktit që pjesë dhe nene të caktuara janë ndryshuar, pikërisht për t’ia përshtatur kërkesave të tij (kryetarit), siç janë heqja e datave të sakta të dhënies së çmimeve dhe lenia e mundësisë që kryetari vetë të zgjedh se kur do t’i jap ato.
Megjithatë as pas ndryshimit dhe përshtatjes së neneve të caktuara, ato nuk u respektuan.
Kështu dhënia e të gjitha çmimeve edhe sivjet është bërë me shkelje të neneve të caktuara të kësaj rregulloreje.
Kështu te dhënia e çmimit “Agim Ramadani” është bërë pa thirrje publike, siç parasheh pika 2 e nenit 6 të rregullores, por nuk eshtër respektuar as pika 6 e nenit 6 e cila thotë:
“Komisioni për Shënimin e Festave Shtetërore në Komunën e Gjilanit pas shqyrtimit të nominimeve i propozon Kryetarit të nderoj personalitetet meritore, propozimet e komisionit më pas shqyrtohen nga Kryetari dhe përcaktohet për emrat e propozuar duke arsyetuar vendimin për ndarjen e çmimit”.
Pra, nuk kemi përmbushje të asnjërit nga kushtet e kësaj pike të këtij neni. Ne si anëtarë të Kuvendit e as opinion nuk e di a ka Komision për shënimin e festave shtetërore ose ai mund të jetë i njohur vetëm për Kryetarin.
Edhe për dhënien çmimeve tjera, si ai “Beqir Musliu”, “Idriz Seferi” e “Hanumshahe Abdullahu”, nuk është respektuar dispozita për thirrje publike, ndërsa ne as si qytetarë dhe as si anëtarë të Kuvendit, nuk kemi njohuri se a janë formuar juri të caktuara dhe cila ka qenë përbërja e tyre.
Në bazë të gjitha këtyre fakteve të përmendura më sipër, del se mungon respektimi i Rregullores së krijuar enkas për dhënien e titujve të nderit, çmimeve, mirënjohjeve dhe shpërblimeve. Kjo bënë që Kryetari të dalë kundërthënës në atë që thotë e në atë që bënë. Shkelet rregullorja, injorohet një Komision i kuvendit, shoqatat dhe grupet e qytetarëve nga Kryetari i komunës. Madje edhe vet të shpërblyerve nuk u bëhet nderë kështu, duke shkelur procedurat e rregulloret, sado që ata nuk kanë lidhje dhe as nuk mund të fajësohen për shkeljet që bënë Kryetari i komunës.
Ky reagim nuk ka të bëjë me asnjë nga emrat konkret (sado të njohur e meritorë a jo meritor të jenë),
fitues të çmimeve e titujve e mirënjohjeve, por ka të bëjë me anën ligjore e rregulloret e mënyrën e (mos) procedimit e që lidhen drejtpërdrejtë me funksionin e Kryetarit të komunës.
/autori është kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan/