Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati bashkë me drejtoreshën për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë, Majlinda Krasniqi dhe drejtorin për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural Naim Arifi, kanë vizituar fermën “BIOFARM” në Tërstenë.
Kryetari Kastrati tha se u njoftuan nga pronari Blerim Dërvodeli për investimet që ka bërë bashkë me familjen e tij.
“Tërstena me pamje fantastike, natyrë të jashtëzakonshme e me kushte të përshtatshme për ta zhvilluar bujqësinë e blegtorinë, është vetëm një nga fshatrat me peisazh fantastik që ka komuna jonë”, tha ai.
Kreu i komunës tha se si qeverisje, po angazhohen maksimalisht që t’u dalin në ndihmë qytetarëve që po e rikthejnë jetën në fshatra duke investuar e krijuar vende të reja pune.
“Ndonëse mundësitë tona si komunë janë të limituara, ne do të mundohemi që investitorët e tillë t’i mbështesim në çdo formë”, u shpreh ai.