Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka pritur në takim Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi për gjendjen e arsimit dhe zhvillimet e fundit rreth riorganizimit të shkollave në Kamenicë.
E pranishme në këtë takim ishte edhe Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Mirhane Morina-Bislimi.
Ministrja Bajrami gjatë takim tha se është e vetëdijshme që reforma e filluar në shkollat e Kamenicë është në të mirë të rritjes së kualitetit të mësimit.
“Unë asnjëherë nuk do të shkel në kompetencat tuaja, ne do të veprojmë konform ligjit dhe kërkojmë bashkëpunim nga të gjitha palët, le të bëhet Kamenica shkas që ne të fillojmë reformen në krejt Kosovën”, shtoi ajo.
Ndërsa Kastrati u shpreh i gatshëm për çdo bashkëpunim me MASHTI-në.
“Këtë vendim e kemi marrë pas shumë hulumtimeve dhe konsultave dhe jemi të vendosur që ta implementojmë në tërësi, sepse nxënësi është në fokus dhe nuk bën të jetë ndryshe. E falënderojmë ministren për vizitën, duke qenë të bindur se do të vazhdojmë komunikimin e bashkëpunimin për arsimim më të mirë për nxënësit”, tha ai.
Kryetari së bashku me Ministren Bajrami takuan edhe kryetarët e grupeve parlamentare të Kuvendit Komunal të Kamenicës si dhe përfaqësuesit e Këshillave të Prindërve.