Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Ramiz Azizi ka mbajtur një ligjëratë të hapur me studentët e vitit të parë të Fakultetit Juridik, nga Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan.
Me këtë rast, Kryetari Azizi ka informuar studentët në detaje për strukturën e Gjykatës, pastaj për Degët në Kamenicë, Viti dhe Novobërdë, më pas numrin e gjyqtarëve dhe të stafit.
Një pjesë të ligjëratës, i ka kushtuar edhe juridiksionit të Gjykatës Themelore të Gjilanit, si një nga shtatë gjykatat në nivel të vendit, procedurat për një gjykim, ofrimin e shërbimeve dhe pritjen e palëve.
Ai ka shtuar se kjo Gjykatë dhe tri degët e saj ofrojnë qasje më të lehtë në shërbimet e gjykatës të nivelit të parë për popullsinë e rajonit, ku përfshihen 7 komuna.
Si një gjykatë e shkallës së parë, Gjykata Themelore e Gjilanit dhe tri degët e saj merren me të gjitha llojet e rasteve, këto raste trajtohen nga departamente të specializuara që funksionojnë në kuadër të çdo gjykate themelore.
Një dritare ku mund të përfitoni shumë si studiues të ri janë edhe aktgjykimet e publikuara në ueb-faqen e gjykatës, ku aktualisht janë të publikuar 3.477 vendime. /2LONLINE/