Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka marrë letër falënderimi nga drejtoresha Jennifer Ober (Tetra Tech ARD), kontraktor për Aktivitetin e USAID-it Qeverisja e Pronës, për gatishmërinë që ka treguar për t`u bërë komunë partnere në këtë program 5-vjeçar.
‘Në emër të Aktivitetit të USAID-it Qeverisja e Pronës, dëshiroj t’ju falënderoj për pritjen e ngrohtë në takimin që patëm javën e kaluar në zyrën tuaj në Komunën e Gjilanit për të prezantuar Aktivitetin tonë.
Jemi të lumtur të dëgjojmë për gatishmërinë tuaj në emër të Komunës së Gjilanit për t’u bërë Komunë partnere e Aktivitetit të USAID-it Qeverisja e Pronës, i cili është një aktivitet pesëvjeçar, i zbatuar nga Tetra Tech ARD, me qëllim të përmirësimit të sistemit të të drejtave pronësore në Kosovë, për të reduktuar korrupsionin, për të rritur fuqizimin e grave dhe për të përmirësuar të drejtat formale të pronës dhe investimet në pronën e paluajtshme.
Aktiviteti, në partneritet me shoqërinë civile, sektorin privat dhe aktorë të tjerë lokalë, do të kontribuojë në avancimin e zhvillimit nën udhëheqjen e nivelit lokal.
Objektivat kryesore të Aktivitetit të USAID-it Qeverisja e Pronës janë:
– Rritja e të drejtave formale të pronësisë, duke standardizuar proceset dhe praktikat në Komuna.
– Rritja e angazhimit aktiv të shoqërisë civile dhe qytetarëve me institucionet në lidhje me të drejtat e pronës.
– Angazhimi i sektorit privat për të forcuar regjimin e të drejtave pronësore në Kosovë.
Jam e ngazëllyer të shpreh gatishmërinë dhe përkushtimin tonë për të punuar me ju dhe ekipin tuaj për të kontribuar drejt përmirësimit të qeverisjes së pronës në Komunën e Gjilanit’, thuhet në letrën e falënderimit. /2LONLINE/