Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni ka pritur sot në takim ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, Michael Davenprot dhe zyrtarë të tjerë të kësaj organizate ndërkombëtare, me të cilët ka biseduar për aktualitetin në komunë si dhe për projektet e prioritetet që rrisin transparencën dhe përmirësojnë jetën dhe mirëqenien e qytetarëve të këtushëm.
‘Sot kisha kënaqësinë të takoj shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Michael Davenport, të shoqëruar nga zyrtarë të tjerë të organizatës, me të cilët biseduam për gjendjen në të cilën ndodhet komuna e Gjilanit si dhe projektet e rëndësishme që sjellin benefite për qytetarët e komunës sonë’, ka thënë kryetari Hyseni.
Ai e ka njoftuar ambasadorin me programin qeverisës, i cili përfshinë projekte nga të gjitha fushat, si në arsim, shëndetësi, ekonomi, kulturë, rini e sport.
“Temë diskutimi ishte edhe vizioni e disa nga prioritetet tona për komunën, siç janë ndërtimi i institucioneve të reja dhe demokratike, siguria e qytetarëve, barazia gjinore, të drejtat e pakicave dhe integrimi i tyre në jetën shoqërore dhe institucionale të komunës”, ka thënë Hyseni, duke e falënderuar ambasadorin për mbështetjen.
Kryetari Hyseni dhe ambasadori Davenprot janë dakorduar për vazhdimin e bashkëpunimit në fusha të caktuara, si rritja e transparencës, komunikimit dhe pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje, në përputhje me parimet e qeverisjes së mirë. /2LONLINE/