Në kuadër të panairit dhe festivalit treditor E JONA, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka shpërndarë të premten certifikata bizneseve, të cilat kanë ekspozuar prodhimet e tyre në këtë panair.
Kreu i Komunës, Alban Hyseni, ka thënë se ky panair ka qenë një mundësi e mirë që të njihen dhe të thellohet bashkëpunimi ndërmjet prodhuesve e tregtarëve.
“Qëllimi ynë ka qenë që të mbledhim shqiptarët kudo që janë, ndërkohë që Gjilani si kryeqendra e Anamoravës, si vendi që përreth ka shqiptarët në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, Likovë e Kumanovë, e po ashtu si qendër e si qytet ku gravitojnë shqiptarët nga të gjitha trojet, ka mbledhur mes nesh shqiptarët që janë veprimtarë në fushën e biznesit dhe ekonomisë, në mënyrë që të mund të bashkëbisedojmë dhe të lidhim marrëveshje të reja e të shtojmë bashkëpunimin”, ka thënë kryetari Hyseni.
Ai pohoi se panairi synohet të jetë i përvitshëm, duke shtuar se Gjilani do të kthehet në një kryeqendër për takimin e bizneseve, ndërkohë që e ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për ndihmën në organizim, sikurse edhe kompaninë CEO.
Ndryshe, panairi dhe festivali E JONA përmbyllet me festën në sheshin “Idriz Seferi” me koncertin final ku do të performojnë këto rock bende: AVI “Zenel Hajdini”, Eufonia, Dardanet, Rinia, Magjistaret, Dellorien, Premiera, Albina`s Band dhe Zani Band. /2LONLINE/