Në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Zhegër, është përuruar sot laboratori për analizat e gjakut, i cili iu mundëson banorëve të këtushëm që analizat bazike t`i kryejnë në ambulancën e fshatit, pa pasur nevojë të udhëtojnë në Gjilan.
Në përurimin e laboratorit ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës, Alban Hyseni, i cili ka thënë se laboratori në Zhegër dhe mamografia në QKMF në Gjilan, është një projekt i përbashkët me organizatën Islamic Relief që po realizohet me bashkëfinancim.
Kryetari Hyseni tha se qëllim kryesor i qeverisjes komunale është që shërbimet t`i ofrohen sa më afër qytetarit.
“Synimi ynë final edhe në fushën e shëndetësisë, është që në qendrat e mëdha, aty ku gravitojnë edhe fshatrat tjera për rreth, si në Zhegër, t`i ofrojmë këto laboratore dhe t`i rrisnim shërbimet për qytetarë”.
Për më tepër, ai theksoi se shërbimet më afër shtëpisë, janë më efikase dhe kushtojnë më lirë për qytetarin.
“Në shumicën e rasteve, Qendrën Kryesore e kemi të mbingarkuar nga shërbimet, sepse kur qytetari vjen këtu i kërkohen analiza, për çka duhet të shkojë në qytet dhe atje nis prej gjithçka prej fillimit, prandaj në këtë formë mundësojmë që edhe kontrollin fillestar, edhe analizat e gjakut, por edhe shërbimet tjera të kryhen në një vend, afër shtëpisë e me sa më pak shpenzime e me sa më shumë efikasitet për banorët”, ka thënë kryetari Hyseni.
Vlera e laboratorit është 9600 euro.
Përndryshe, me këtë donator po realizohet edhe projekti i ujit të pijes për katër fshatra si dhe një projekt në fushën e bujqësisë. /2LONLINE/