Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban hyseni ka njoftuar se në vlerë prej 15 milionë euro, nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit me ministrin e Sportit, Hajrulla Çeku.
“Si një nga projektet më të mëdha të komunës sonë dhe pas sfidave të shumta që na janë shfaqur tash e 2 vite për implementimin e tij, bashkë me nivelin qendror do të angazhohemi maksimalisht për zhvillimin e projektit të stadiumit të kategorisë 4 në Gjilan”, ka thënë Hyseniu.
“Bashkë qeverisim, për sportin e sportdashësit”, ka thënë ai.
Edhe ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, përmes një postimi në profilin e tij është deklaruar për këtë çështje.
“Projekti përfundimtar i Stadiumit të Gjilanit, i cili mungonte, tash është hartuar dhe i gatshëm për zbatim ndërsa buxheti i nevojshëm për financimin e zbatimit veçse është siguruar”, ka thënë ai.
Ja postimi i tij.
Planifikimi i duhur është thelbësor për suksesin e çdo projekti dhe këtë e kemi bërë me Stadiumin e Gjilanit dhe do të vazhdojmë ta bëjmë me secilin projekt infrastrukturor që e fillojmë. Kështu po sigurohemi se ajo çfarë ka ndodhur në qeverisjet e kaluara të mos përsëritet më.
Projekti përfundimtar i Stadiumit të Gjilanit, i cili mungonte, tash është hartuar dhe i gatshëm për zbatim ndërsa buxheti i nevojshëm për financimin e zbatimit veçse është siguruar.
Në marrëveshjen e sotme me kryetarin Alban Hyseni, zotuam 15 milionë euro për ndërtimin e stadiumit. Procedurat e nevojshme për zbatimin e projektit do të fillojnë menjëherë dhe punimet në tërësi do të nisin sa më parë.
Për shkeljet që janë gjetur në të kaluarën e këtij stadiumi, tanimë të kualifikuara si të tilla edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit, ndaj palëve të përfshira po përgatitet kallëzim penal.
Me vendosmëri po e realizojmë planin investiv për Lojërat Mesdhetare 2030. Po krijojmë një të ardhme më të mirë për sportin! /2LONLINE/