Në kuadër të nismës “7 javë, 7 projekte”, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, në një konferencë për media të mbajtur sot, ka prezantuar më në detaje projektin e qarkores ekzistuese dhe projektin e qarkores së re të Gjilanit.
Kryetari Hyseni tha se këto dy projekte do të realizohen brenda dy viteve të ardhshme,
“Në qarkoren ekzistuese, pas një qerek shekulli pritjeje, lajmi i mirë është që nga Ministria e Infrastrukturës e kemi të konfirmuar shpronësimin e pronave për 226 familje në vlerë prej 15 milionë euro. Ndërkaq, projekti përfshin riasfaltim të rrugës në gjerësi prej gjashtë metra, shtigje të biçikletave prej 1 metër gjerësi në dy anët e rrugës, trotuare në të dy anët në gjerësi prej dy metra. ndriçim publik dhe kanalizim atmosferik. Vlera e këtij projekti është 2.7 milionë euro”, ka është shprehur kryetari Hyseni.
Ndërkaq, për qarkoren e re të Gjilanit, kryetari i Gjilanit tha se kostoja është rreth 27 milionë euro në tërësi, në 5 lote, në gjatësi prej 19.5 kilometra.
“Për vitin 2024 Ministria e Infrastrukturës dhe Komuna ka marr përsipër që t’i realizojë dy lote, loti katër dhe loti pesë. Loti 5 e lidh rrugën e Prishtinës dhe rrugën e Ferizajt në gjatësi prej 5.7 kiliometra e në vlerë rreth 6 milionë euro që financohet nga ministria përkatëse. Ndërkaq, loti katër, i cili do financohet nga Komuna e Gjilanit, është nga rruga e Ferizajt, rruga e Kumanovës dhe rruga për Preshevë, afër shkollës së Velekincës”, tha ai.
Kryetari Hyseni tha se lajmi i mirë është që edhe shpronësimin e kësaj rruge nëpërmjet memorandumit të mirëkuptimit e ka marr përsipër Ministria e Infrastrukturës.
“Ajo që vlen të theksohet është që kjo rrugë ka katër korsi me elementet tjera përcjellëse dhe do të krijojë një brez të ri të zhvillimit të komunës sonë”, ka nënvizuar kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, në koferencën për media. /2LONLINE/