Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka nënshkruar sot memorandum bashkëpunimi me drejtorin e Fondacionit Jeshil, Xhevdet Gegollaj, me qëllim të fuqizimit të kapaciteteve komunale në trajtimin e mbeturinave organike, sigurinë ushqimore, bujqësinë e qëndrueshme dhe zhvillimin e ekonomisë qarkore.
Pasi e falënderoi për vizitën dhe bashkëpunimin, kryetari i Gjilanit ka treguar për objektivat e kësaj marrëveshjeje, teksa u shpreh se do të vazhdohet me zbatimin e projekteve dhe ideve që shtyjnë përpara mirëqenien e qytetarëve.
“Ndërtimi i kapaciteteve institucionale vendore në menaxhimin e mbetjeve organike përmes zhvillimit të sistemit për kompostimin e mbeturinave organike, bashkëpunimi me Shkollën e Mesme të Bujqësisë në Gjilan në gjetjen e zgjidhjeve inovative për ushqim, shfrytëzimi i platformës foodsafe community për reduktimin e mbeturinave ushqimore dhe shpërndarjen e ushqimit të grumbulluar janë vetëm disa nga objektivat e kësaj marrëveshje”, ka thënë kryetari Hyseni. /2LONLINE/