Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me kryesuesin e Kuvendit, Arianit Sadikun si dhe bashkëpunëtorë të tjerë, ka pritur një delegacion nga Jellderimi i Turqisë, i prirë nga kryetari i Komunës, Aktay Yilmaz, për të zgjeruar më tutje vëllazërimin dhe bashkëpunimin e hershëm që kanë këto dy komuna.
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni tha se sot presim në shtëpinë tonë një delegacion nga shteti që e ka ndihmuar shumë vendin dhe popullin tonë ndër vite.
“Zoti Yilmaz dhe unë diskutuam shkurt por përmbajtësisht për bashkëpunimin që mund të kemi në të ardhmen”, nënvizoi fillimisht kryetari Hyseni.
Kosova është vend që është shpallur shtet së fundi, por me një histori të gjatë, ndërkohë që me popullsinë e re që ka dhe resurset që posedon, ofron shumë mundësi për zhvillim dhe për jetë të mirë të qytetarëve të saj.
‘Është interesante që Kosova, moshën mesatare të popullsisë e ka diku 31 vjet, aq sa është edhe mosha ime si kryetar Komune dhe ky është njëri prej treguesve se sa shumë potencial ka brenda vendit tonë’ ka thënë kryetari Hyseni.
Për më tepër, ai ka nënvizuar se ajo çfarë ne kërkojmë dhe çfarë unë dua të bëjë si kryetar Komune, është që të shohim modele të mira dhe të suksesshme të zhvillimit, në mënyrë që të njëjtat modele, me një përshtatje të vogël t`i sjellim edhe në komunën tonë dhe në vendin tonë.
‘Ne kemi folur edhe me koordinatorin e Qendrës Kulturore të Kosovës në Bursa, Rexhep Gyndyz për shkollat profesionale dhe me aq sa kam kuptuar, këto shkolla janë një prej pikave të forta në shtetin turk dhe neve na duhet pikërisht kjo’, ka thënë kryetari Hyseni, i bindur se ky bashkëpunim do të vazhdojë me një vizitë kthyese në Jellderim.
Një fjalë rasti e ka mbajtur edhe kryetari i Jelderemit, Oktay Yılmaz, i cili ka thënë se kufijtë nuk paraqesin pengesë për bashkëpunimin tonë, ndërkohë që bashkëpunimin e gjatë mes dy popujve e ka vënë në dukje edhe kryesuesi i Kuvendit, Arianit Sadiku.
Përndryshe, së bashku me delegacionin turk, në Gjilan është përuruar Qendra kulturore dhe konvikti për vajza ‘Bursa”, i financuar nga Shoqata Humanitare Kulturore “Stambolli”, që do t`u shërbejë vajzave dhe grave në mbajtjen e aktiviteteve, si mësim ditor, gara, kuize e programe të ndryshme.
Në këtë ceremoni, pos delegacionit nga komuna e Jellderimit dhe ambasadorit të Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar, kanë marrë pjesë edhe myftiu i Kosovës, Naim Tërnava si dhe deputetë nga parlamentet e të dyja shteteve. /2LONLINE/