Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi ka mbajtur sot takimin e parë, nën drejtimin e kryetarit të Komunës, Alban Hyseni, i cili ka thënë se KKSB-ja është një organ shumë i rëndësishëm, ku diskutohet çështja e sigurisë së qytetarëve.
‘KKSB-ja është një organ shumë i rëndësishëm ku diskutohet siguria e qytetarëve tanë dhe e komunës sonë, ku përfaqësimi është i atij niveli që mundëson pikëpamje të ndryshme dhe diskutime të shumta mbi çështjet e sigurisë”, ka thënë kryetari Hyseni.
Ndërkaq një informatë për situatën e sigurisë në komunën e Gjilanit, e ka dhënë komandanti i Stacionit të Policisë, Agim Lipovica, i cili ka thënë se së bashku me qytetarët mund ta bëjmë Gjilanin qytet më të sigurtë dhe t`i eliminojmë dukuritë negative.
Në fillim të vitit jemi përballur me fenomenin e vjedhjes dhe grabitjes së marketeve, por përmes një plani operativ, policia ka arritur që brenda një afati shumë të shkurtër të kap kryesin, i cili ka qenë i akuzuar për diku 27 vepra të ndryshme.
Prioritet tjetër për policinë ka qenë edhe siguria në trafik.
Lipovica ka thënë se brenda këtij nëntëmujori janë shqiptuar rreth 12 mijë gjoba në trafik, ose rreth 4 mijë më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, por ka nevojë të punohet më shumë sa i përket çështjes së sigurisë në komunikacion, pasi që, për fat të keq, ka pasur edhe raste me fatalitet.
Komandanti i Stacionit të Policisë ka folur edhe për disa problematika tjera të identifikuara nga policia, si vjedhjet nëpër shtëpi, ndonëse sivjet ka pasur rënie të rasteve, në çka ka ndikuar zbulimi i hershëm i kryesve të veprave.
Sa i përket sigurisë në shkolla, Lipovica ka thënë se atje kanë qenë të angazhuar katër zyrtarë policorë në rroba civile, të cilët janë kujdesur për sigurinë e nxënësve, përkatësisht eliminimin e dukurive negative, siç janë droga, duhani dhe të tjera.
Përndryshe, ai u shpreh i kënaqur sa i përket bashkëpunimit me institucionet komunale.
Ndërkaq, togeri Suad Murati nga Drejtoria kundër trafikimit me qenie njerëzore, ka folur për aktivitetet e kësaj Njësie të Policisë në luftimin e trafikimit që përbën shkeljen më flagrante të të drejtave të njeriut dhe paraqet një kërcënim madhor për sigurinë e shtetasve.
Duke e ditur se viktima potenciale të trafikimit mund të jenë edhe fëmijët lëmoshë kërkues në rrugë, Murati ka kërkuar nga qytetarët që të ndërpresin dhënien e lëmoshës, sepse në këtë formë nxisin shtimin e numrit të lëmoshë kërkuesve dhe ardhjen e tyre dhe nga jashtë.
Përndryshe, kryetari Alban Hyseni njoftoi se ka autorizuar nënkryetaren e Komunës që të marrë pjesë në takimet e KKSB-së, sa herë që ai nuk ka mundësi të vijë, për shkak të agjendave të punës dhe angazhimeve ditore, ndërkaq si koordinator i KKSB-së është caktuar Bejtullah Osmani nga DMSH-ja.
Në takimin e sotëm të KKSB, pjesëmarrësit kanë ngritur për diskutim çështje dhe shqetësime të ndryshme nga segmenti që përfaqësojnë në këtë mekanizëm komunal të sigurisë.
Meqë këto ditë në Serbi po mbahet regjistrimi i popullsisë dhe dihet që në Gjilan janë të vendosur një numër i konsiderueshëm i qytetarëve nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, kryetari Hyseni ka kërkuar nga anëtarët e KKSB-së që të shfrytëzojnë mundësitë që kanë dhe të bëjnë thirrje te banorët e Luginës që të marrin pjesë në regjistrim, në mënyrë që numri i shqiptarëve në Serbi të dalë ai që është realisht dhe ajo ai numër që nuk përkon me realitetin dhe gjendjen në terren. /2LONLINE/