Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me drejtoreshën e Arsimit, Selvete Sylejmani, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, kanë vizituar shkollën “Thimi Mitko”.
Gjatë vizitës, kryetari Hyseni e drejtoresha Sylejmani, kanë bashkëbiseduar me menaxhmentin dhe mësimdhënësit, derisa konfirmuan se brenda dy viteve do të inventevenojnë me investime në secilën shkollë, aty ku është e domosdoshme, duke shtuar se janë të interesuar që në Gjilan ta sjellin arsimin në gjendje më të mirë se që është tash.
“Në këtë bashkëbisedim, po ua konfirmoj se bashkë me drejtoreshën e Arsimit kemi vendosur që maksimalisht brenda dy viteve në secilën shkollë në komunën tonë të intervenojmë aty ku është e domosdoshme. Në shumicën e shkollave ka probleme me nyjet sanitare, me toaletet, dyshemeja, dërrasat e zeza, tavolinat e karriget, e këto janë nevoja minimale për zhvillimin e mësimit në kushte normale. Në 4-5 shkolla kemi bërë intervenime pak më të mëdha, ndërkohë që ka shumë shkolla janë bërë intervenime të tjera të domosdoshme”, ka thënë kryetari Hyseni.
Drejtoresha e DKA-së, Selvete Sylejmani, ka thënë se me të gjitha mundësitë buxhetore kanë intervenuar me investime sipas kërkesave të shkollave, për të shtuar se me investime do të vazhdohet edhe në të ardhmen.
Ndërkaq, drejtoresha e shkollës së mesme të ulët “Thimi Mitko”, Sevdije Sadiku, e ka falënderuar kryetarin Hyseni dhe drejtoreshën Sylejmani për vizitën dhe mbështetjen e ofruar me investime aty, për të krijuar kushte më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Përndryshe, gjatë ditës, Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me Islamic Relief Kosova kanë shpërndarë çanta e pajisje shkollore për 320 fëmijë të familjeve me asistencë sociale. /2LONLINE/