Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, kanë inauguruar sot çerdhen e re në fshatin Zhegër, për grup-moshat nga nëntë muaj deri në gjashtë vjeç.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ka falënderuar ministren Nagavci për mbështetjen në bashkëfinancim me Komunën në vlerën e përbashkët prej rreth 155 mijë euro.
“Është shumë e rëndësishme sot dita e inaugurimit dhe fillimit të punës në çerdhen më të re në Zhegër, në një objekt tërësisht të braktisur për dhjetëra vite me radhë, e që funksional ka qenë për një kohë shumë të shkurtër si një dhomë e veçantë për parashkollorë. Është e rëndësishme ta përmendin që me financim nga MASHT, jemi duke e ndërtuar çerdhen në Dobërçan, ndërkaq në zonën qarku një në qytet është duke u përgatitur terreni për të filluar punimet në çerdhen e dytë, derisa kjo që u përurua dhe përshtatur është e treta. Ndërkohë, objekti i fundit i çerdhes që e kemi trashëguar në lagjen “Arbëria” po punohet me intensitet të shtuar”, tha kryetari Hyseni.
“Zotimi ynë fillestar ka qenë që të ndërtohen katër çerdhe të reja brenda një mandati në Gjilan. Pra, për një afat rekord brenda dy vitesh besojmë që do të përfundojnë katër çerdhe të reja. Është shumë me rëndësi edukimi i hershëm i fëmijëve, ku mandej fillon përgatitja në fazat tjera të arsimit, që nënkupton edhe përgatitjen e të rinjve për jetën e tyre por edhe për shërbimin që do ta bëjnë ndaj komunitetit”, ka shtuar kryetari Hyseni.
Kurse, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka theksuar se është shumë e rëndësishme që të ndërtohen çerdhe të reja edhe në fshatra.
“Sot po inaugurojmë edhe një çerdhe të re, edhe një hapësirë të përshtatshme për fëmijët tanë që t’ju ofrojmë atyre mundësi të barabarta në zhvillimin dhe edukimin në fëmijërinë e hershme. Për ne si qeverisje është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kemi kopshte e çerdhe edhe në fshatra gjithandej, që të përmbyset ajo tradita që ka qenë se ‘kopshtet e çerdhet kanë qenë kryesisht në komuna e qytete të mëdha’, duke i përjashtuar fshatrat e fëmijët, e duke ua shtuar barrën prindërve”, tha ajo.
Fjalë përshëndetëse e falënderimi në këtë ngjarje pati edhe drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, Albana Demiri dhe kryetari i Këshillit të fshatit në Zhegër, Muhadin Haziri.
Ky objekt ofron potencial për përfshirjen në edukim të hershëm të 50 fëmijëve të Zhegrës dhe fshatrave të Grykës së Karadakut, në një hapësirë prej 218 metra katrorë. /2LONLINE/