(2LONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka vizituar sot Administratën e Përgjithshme, respektivisht shërbimin e Gjendjes Civile dhe Qendrën për Shërbim të Qytetarëve, ku është takuar me shërbyesit civil dhe me qytetarët të cilët ishin duke u pajisur me dokumentet në këtë qendër.
Me këtë rast Haziri është informuar me punën që është duke u bërë aty, përgatitjet për pritjen e bashkatdhetarëve por edhe më nevojat emergjente, si dhe u ka dhënë mbështetje punëtorëve, duke kërkuar nga ata që t’u shërbejnë në mënyrën më të mirë qytetarëve të cilët u drejtohen sporteleve të Komunës në përgjithësi.
“Ju dëshiroj punë të palodhur të gjithë juve që jeni për çdo ditë pune në kontakt me qytetarë të shumtë dhe të ndryshëm. Kërkoj nga të gjithë ju që të jepni maksimumin tuaj për t’u shërbyer qytetarëve të cilët u drejtohen sporteleve”, ka thënë ai në këtë vizitë që kishte në Administratë. “Sot jam këtu në Administratë, sepse këtu është frekuentimi më i madh i qytetarëve dhe jam poashtu edhe për arsyen tjetër që t’u jap mbështetje dhe inkurajim që të punojmë bashkë për të mirën e Gjilanit dhe qytetarëve të saj”.
Ndërsa Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Administratës, Agim Velekinca, e ka informuar kryetarin në përgjithësi për këtë drejtori, për të arriturat, nevojat emergjente, nevojat për zyrtar shtesë për ta kaluar sa më mirë fluksin e madh të qytetarëve të cilët këtyre ditëve po kërkojnë shërbime. “Numri i qytetarëve që kërkojnë shërbime të gjendjes civile por edhe në QShQ është në rritje këtyre ditëve, për shkak të ardhjes për pushime të bashkatdhetarëve tanë nga diaspora. Është e nevojshme që numri i zyrtarëve të jetë më i madh në këtë shërbim në mënyrë që puna të kryhet sa më shpejt she palët të ndahen të kënaqur”. /2LONLINE/