(2L ONLINE) – Për nderë të festës së Kurban Bajramit, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, i shoqëruar nga drejtorët komunal, kanë vizituar sot Bashkësinë Islame në Gjilan, ku u pritën nga përfaqësuesi i BI-së, Naim Aliu.
Me këtë rast, kryetari Haziri ka uruar Bashkësinë Islame në Gjilan dhe të gjithë besimtarët myslimanë, duke u lutur që çdo familje sot të ketë ditë feste. Haziri ka uruar edhe haxhitë, me të cilët është edhe kryetari i BI-së, Sylejman Osmani, që të kthehen shëndosh e mirë në vendlindje.
“Për këtë ditë feste për qytetarët e Gjilanit, sot dëshiroj që përmes ushtruesit të detyrës së kryetarit, mulla Naim Aliut, të uroj Bashkësinë Islame dhe të gjithë besimtarët islam. Sakrifica e Kurban Bajramit është sakrificë e çdo qytetari në emër të Zotit. Unë lutem që çdo familje sot në Gjilan, çdo besimtar, ta ketë ditë të bardhë, ditë feste dhe uroj që haxhitë e Komunës sonë dhe gjithë haxhitë tjerë, duke përfshirë edhe kryetarin e Bashkësisë Islame si përgjegjës, të kthehen shëndosh e mirë në familje dhe t’ju shkojmë edhe atyre për urime sikurse sot. Urime të gjithëve”, ka thënë kryetari Haziri.
Nga ana e tij, përfaqësuesi i Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, ka falënderuar kryetarin Haziri për vizitën, duke uruar që në këtë ditë të mbretëroj paqja, solidaritetit, lumturia dhe harmonia në familjet gjilanase. /2L ONLINE/