(2L ONLINE) – Me rastin e shënimit të 7-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, në emër të të gjitha institucioneve lokale, ka uruar qytetarët e Gjilanit, duke potencuar kontributin e madh që ka dhënë Gjilani ndër – vite deri në pavarësinë e plotë të vendit.
“Në emër të të gjitha institucioneve lokale, i uroj qytetarët e Gjilanit në 7 – vjetorin e pavarësisë kudo që ata janë në Kosovë dhe diasporë. Pavarësia e Kosovës është kurorë e përpjekjeve shekullore të popullit tonë për liri, pavarësi, demokraci dhe dinjitet njerëzor. Shpallja e Pavarësisë ishte akt historik, por të cilit i ka paraprirë një proces i gjatë i rezistencës dhe luftës çlirimtare, i mbuluar me lavdi, me gjak e sakrifica të panumërta. Pavarësia e Kosovës asnjëherë nuk mund të përkujtohet pa Presidentin Historik Ibrahim Rugova dhe pa Komandantin Legjendar Adem Jashari, pa sakrificën e madhe të popullit shqiptarë në përgjithësi, pa masakrën e Gjilanit ku këtë vit kishim 70 – vjetorin, pa diasporën shumë të madhe të Gjilanit në mërgim, e që sjellë bashkë me dhembjen, krenarinë, dashurinë, vullnetin dhe synimin për të ardhme më të mirë për gjeneratat që do të vijnë pas nesh”, thotë Haziri.
Urime të gjithë gjilanasve kjo ditë feste, të festojmë për punë të mira dhe të vlefshme gjatë këtij viti. /2L ONLINE/