/2L ONLINE/ – Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit, ka pritur në një takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, i cili paraprakisht ka marrë pjesë në një takim të asamblesë së fëmijëve në këtë qytet.
Në një konferencë për gazetarë, pas takimit, Haziri është shprehur i kënaqur që sot në Gjilan ishte për vizitë ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O`Connell, i cili ka takuar njësinë për rini dhe klubin e rinisë në Gjilan, që është institucioni më i ri në këtë Komunë, që bashkon të gjitha grupet rinore si dhe asamblenë e fëmijëve të Gjilanit.
Kryetari Haziri e ka falënderuar ambasadorin për interesimin që ka treguar për punën dhe kushtet e punës në Komunën e Gjilanit, duke nënvizuar se O`Connell është njohës i mirë i rrethanave tek ne.
“Vizita e ambasadorit shënon një histori, sepse është hera e parë që ai vjen në Gjilan, pas një shërbimi shumë të gjatë në Kosovë”, ka thënë Haziri.
Edhe ambasadori britanik Ruairi O`Connell u shpreh i kënaqur me ato që kishte dëgjuar nga kryetari Haziri, për situatën ekonomike dhe politike në këtë Komunë dhe veçmas për mikpritjen që iu bë këtu.
Sa u përket zgjedhjeve në Drenas, diplomati anglez tha se për mua, e rëndësishme është që qytetarët të ndihen fuqiplotë në cilat do zgjedhje në Kosovë, sepse shprehja e pikëpamjeve politike, është ky është themeli i demokracisë.
Ambasadori O`Connell tha se asamblenë e fëmijëve e ka inkurajuar që të kërkojë më shumë prej politikanëve, sepse askush tjetër nuk do ta ndryshojë botën për ju, nëse ju vetë nuk i bëni ndryshimet që dëshironi.
Po ashtu kemi lansuar edhe projektin për vullnetarizëm, sepse çdo demokraci në botë ka nevojë për qytetarë të angazhuar, për të kërkuar ndryshime dhe për të bërë ndryshime, ka thënë diplomati anglez.
“Kemi folur edhe për projekte tjera, si ai për digjitalizimin e librave për të verbrit si dhe jam interesuar për projektet e Britanisë në Gjilan, sidomos për projektin e ri-integrimit të të rinjve që kanë shkuar për të luftuar në Irak apo Siri”, ka thënë O`Connell.
Ambasadori nuk ka ngurruar të flas edhe për sportin në Kosovë dhe Britani, nga këndvështrimi krahasues sa i përket cilësisë së futbollit dhe infrastrukturës, pa mohuar se edhe Kosova është një shembull pozitiv në këtë aspekt.
“Është gabim të mendohet se vetëm Kosova duhet të mësojë prej Britanisë, sepse edhe ne mund të mësojmë prej Kosovës”, ka thënë ai, duke shtuar se kushtet në Britani janë më të avancuara, për dallim prej Kosovës, për shkak të historisë së Britanisë, përkatësisht historisë së Kosovës. /2L ONLINE/