Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim pune ministrin e Zhvillimit Rajonal, Enis Kervan, në të cilin takim u bisedua për angazhimin në kohë pandemie dhe realizimin e projekteve të përbashkëta.
Kryetari Haziri e ka falënderuar ministrin Kervan për vizitën dhe mbështetjen e madhe të ofruar në projektet kapitale.
“E njoftova nga afër ministrin Kervan edhe për dy projektet që jemi duke i realizuar bashkërisht e të financuara nga MZHR, sikurse që biseduam edhe për planifikimet buxhetore të vitit të ardhshëm, në mënyrë që kjo Ministri dhe Komuna të hyjnë në programe të bashkëfinancimit të projekteve në interes të të gjitha komuniteteve në Gjilan”, ka thënë kryetari Haziri, pas takimit.
Ministri i Zhvillimit Rajonal, Enis Kervan, e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen miqësore, derisa ka shfaqur zotimin e financimit të projekteve në të mirë të qytetarëve.
“Dy vite radhazi Ministrisë e Zhvillimit Rajonal ka përkrahur projektet kapitale të Gjilanit. Edhe sivjet e kemi një projekt të përbashkët, tregun dhe parkun në Zhegër, ku jo vetëm kosovarët, por edhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut mund të shfrytëzojnë. Janë projekte të cilat do të jenë në dobi të qytetarëve të Gjilanit dhe shpresoj që në vitin e ardhshëm ky bashkëpunim do të vazhdojë bashkërisht me Komunën”, ka thënë ministri Kervan./2LONLINE.com/