(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka nxjerrë vendimin për emërimin Bordit udhëheqës të njësisë për kulturë, me qëllim të pavarësimit financiar dhe avancimit të këtij sektori.
Vendimi është nxjerrë në bazë të nenit 13 të LVL-së dhe nenit 81.1 të Statutit të Komunës së Gjilanit.
Anëtarë të Bordit janë: Bekim Korqa, Kujtim Shahiqi, Adriana Matoshi, Bashkim Nexhipi, Jahi Jahiu, Bujar Haziri dhe Ali Demi.
Në takimin e parë që mbajtur të mërkurën me anëtarët e Bordit të njësisë së kulturës, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri tha se ky Bord është themeluar me qëllim të avancimit të këtij sektori të rëndësishëm të Gjilanit.
Kryetari Haziri tha se Kultura me të gjitha sektorët e saj do ta ketë buxhetin e komunal të garantuar nga 1 janari, duke u dekoncentruar kështu nga varshmëria financiare e deritanishme e kryetarit të Komunës.
Ai porositi anëtarët e Bordit që të bëjnë prioritetet dhe të jenë pragmatik në punë, ndërsa iu konfirmoi mbështetjen e përhershme të tij.
Nga ana e tyre, të gjithë anëtarët e Bordit përshëndetën kryetarin Haziri për këtë vendim, duke shfaqur shpresën e këndelljes së të gjitha sektorëve që hyjnë në kuadër të Kulturës.
Në takim u konkludua se zgjidhja më e shpejt u tha se duhet të bëhet për funksionalizimin e teatrit.
Detyrat e Bordit udhëheqës të njësisë për kulturë janë:
– Miraton, në mbledhjen e parë, rregulloren e funksionimit të tij, e cila propozohet nga udhëheqësi i njësitit për kulturë;
– Përcakton prioritetet kulturore, në përputhje me politikën e komunës për kulturën dhe artin;
– Miraton projektet kulturore, në përputhje me planin e punës të miratuar;
– Miraton kriteret dhe masën ë shpërblimit të cilësisë së projekteve për cdo vepër që do të realizohet;
– Miraton paraqitjen ose pjesëmarrjen e institucionit në manifestime të tjera kulturore;
– Ushtron edhe detyra tjera të cilat i caktohen nga udhëheqësi i njësitit në pajtim me ligjin /2L ONLINE/