(2LONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka vazhduar vizitat me karakter informues në institucionet e Gjilanit.
Kësaj radhe, kryetari Haziri ka vizituar sot ndërmarrjen publike lokale “Stacioni i Autobusëve” në Gjilan, ku është njoftuar nga përfaqësuesit e kësaj kompanie për punën dhe sfidat me të cilat ata po ballafaqohen.
“Ju faleminderit kryetar për vizitën. Kjo vizitë në kompaninë tonë e tregon seriozitetin tuaj si kryetar komune. Ndërmarrja publike lokale “Stacioni i Autobusëve” operon me gjithsejt 46 operatorë, ndërsa 250 autobusë në ditë hyjnë e dalin nga këtu. Në përgjithësi mirë jemi duke funksionuar, por kemi nevojë për përmirësim. Ka mbetur pezull cështja e definimit sa i përket raporteve të AKP. Pastaj kemi mbi 1 milion euro borxhe të trashëguara ndaj ATK-së. I kemi poashtu 32 konteste gjyqësore, kemi probleme me qiraxhinjtë”, ka thënë kryeshefi Ekzekutiv i kësaj kompanie, Avni Hajrullahu.
Ndërsa, kryetari Haziri i ka dhënë përkrahje kësaj kompanie në funksionimin e suksesshëm të saj. “Erdha për t’i parë shërbimet në stacionin e autobusëve. Si komunë, duhet t’i identifikojmë problemet dhe nevojat që keni. Si kryetar komune do t’ju ndihmojmë në zgjidhjen e problemeve, për ta pasur më të lehtë funksionimin. Bashkarisht do t’ia dalim drejt suksesit”, ka thënë kryetari Haziri./2LONLINE/