Me rastin e përzgjedhjes për në finalen e madhe të “Muza Competition”, që është një projekt i fashionit dhe dizajnit e që është duke u mbajtur në Tiranë, sot kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim dizajnerin e modës Frontin Hasani, nga Smira, i cili është përzgjedhur në mesin e 10 finalistëve.
Kryetari Haliti e ka përgëzuar për talentin, punën dhe përkushtimin në fushën e dizajnit, dhe promovimin e komunës së Vitisë. Ai poashtu duke i uruar suksese në edicionin e dytë të kësaj gare ku Frontini do të prezentojë një koleksion të inspiruar nga elementet tradicionale shqiptare, tha se të rinjtë vitias me punën dhe talentin e tyre po na bëjnë krenarë çdo ditë, jo vetëm në Kosovë dhe Shqipëri por anekënd botës dhe secili i ri do ta ketë përkrahjen e vazhdueshme të institucioneve komunale të Vitisë.
Në këtë edicion të dytë të kësaj gare, kanë aplikuar mbi një mijë dizajnerë të rinj nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi.
Përndryshe Frontini ka studiuar për dizajn mode, kurse pasioni i tij për këtë industri i kishte lindur qysh si nxënës i shkollës fillore. Mirëpo, fal talentit tij dhe përkushtimit të punës së palodhur, Frontini ka arritur të hyjë suksesshëm në botën e modës, duke krijuar tashmë bashkëpunim edhe me emra të njohur të skenës, artit e televizionit. /2LONLINE/