/2L ONLINE/ – Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti priti sot një delegacion të shoqatës “Dituria” nga Radstadi i Austrisë. Ai me këtë rast i njoftoi ata për aktivitetet komunale dhe angazhimet aktuale, për lehtësimin e shërbimeve për mërgimtarët, si dhe për projektet që janë në realizim e sipër në këtë komunë, për të ofruar një mirëqenie më të mirë për qytetarët.
Ai po ashtu i dha mbështetje përfaqësuesve të shoqatës “Dituria”, njiherit theksoi se komuna do të vazhdoj bashkëpunimin e nisur kohë më parë me këtë shoqatë dhe do të jetë afër saj në çdo aktivitet që ndërmarrin, si në vendin ku veprojnë, po ashtu edhe në vendlindje. Përfaqësuesit e shoqatës “Dituria” e njoftuan kryetarin me aktivitetet e saj në afrimin dhe bashkëpunimin e mërgimtarëve mes vete, si dhe për aktivitetet humanitarë që po ndërmarrin për të ofruar ndihma të nevojshme në vendlindje.
“Në kuadër të angazhimeve tona për të ofruar ndihmë për familjet në nevojë, ne kemi grumbulluar 9.500 euro për ndërtimin e një shtëpie për një familje skamnore”, ka thënë Naser Zuka përfaqësues i shoqatës “Dituria”.
Ai ka theksuar se kjo nuk do të jetë ndihma e vetme që shoqata i dedikon familjeve në nevojë, por do të vazhdojë edhe me aktivitete në të ardhmen.
Kurse kryetari Haliti, pasi ka falënderuar ata për këtë kontribut, ka kërkuar nga përfaqësuesit e shoqatës që ata vet të përzgjedhin familjen e cila ka nevojë për këtë ndihmë. Me këtë rast, në shenjë falënderimi për angazhimin humanitar të shoqatës “Dituria”, kryetari Haliti i ka nderuar ata me një mirënjohje./2L ONLINE/