(2L ONLINE) – Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Halit, ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të bursave olimpike me Komitetin Olimpik të Kosovës, ku në mesin e sportistëve që do të jenë pjesëmarrës në garat e ardhshme olimpike, janë edhe dy sportiste të komunës së Vitisë në shenjëtari Urata Rama dhe Lumturie Rama.
Dje Komiteti Olimpik i Kosovës, ka zyrtarizuar ndarjen e bursave olimpike në vlerë prej 500 dollarësh në muaj për sportistët më të dalluar që pritet të marrin pjesë në lojërat e ardhshme olimpike në Bakut të Azerbajxhanit dhe në Rio 2016 në Brazil. Besim Hasani, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, tha se sportistët tanë i presin sfida të mëdha.
Sportistët nënshkruan kontratat për bursat olimpike. Përfitues janë 15 sportistë që do të marrin bursë olimpike mujore nga 500 dollarë: Prishtinë: Lum Zhaveli, Rita Zeqiri (not). Fushë Kosovë: Erendita Gërguri (taekëondo). Ferizaj: Qëndrim Guri (çiklist). Pejë: Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Akil Gjakova, Letrime Krasniqi (xhudo). Viti: Urata Rama, Lumturie Rama (shenjëtari). Dardanë: Musa Hajdari e Vijona Kryeziu (atletikë). Drenas: Hazir Asllani (shigjetari). Prizren: Armend Xhoxhaj (boks) e Kastriot Sedolli (mundje).
Kjo është një ndihmesë e madhe për këta sportistë të cilët do të kenë kushte më të mira për përgatitje, jo vetëm për lojërat olimpike, por edhe për kampionatet evropiane e botërore. Kryetari i komunës Sokol Haliti me këtë rast ka ritheksuar gatishmërinë për të mbështetur edhe me tej sportin vitias dhe sportistët në veçanti, kur dihet se kjo komuna ka talent të shumtë në këtë lëmi. /2L ONLINE/