Kryetari i komunës Vitisë, Sokol Haliti dhe kryesuesi i kuvendit komunal, Bekim Azizi kanë pritur sot në takim kryetarin e komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Në këtë takim dy kryetarët kanë bashkëbiseduar rreth mundësisë së bashkëpunimit të dy komunave në sfera të ndryshme, po ashtu ata kanë biseduar rreth projektit ndërkufitar.
Fillimisht , kryetari i Tetovës Bilall Kasami, shprehu interesimin për bashkëpunim ndër komunal në të gjitha fushat duke përfshirë arsimin, kulturën, sportin, turizmin etj. “ Jemi më se të interesuar që të bashkëpunojmë me komunën e Vitisë, në sfera të ndryshme. Të kemi organizime të përbashkëta në aktivitete çoftë ato të kulturës, apo edhe shkëmbim përvojash në fushën e arsimit. Organizim të vizitave shkollore nga të dyja komunat, që do të shërbejnë shumë në bashkëpunimin praktik”, tha kryetari Kasami.
Kryetari Haliti, shprehu gatishmërinë e bashkëpunimit mes të dyja komunave në interes të qytetarëve Vitias dhe të Tetovës, ndërkohë e njoftoi homologun e tij tetovar, lidhur me zhvillimet e gjithmbarshme të komunës së Vitisë, potencialet dhe sfidat me të cilën përballet kjo komunë, si dhe nevojat për investime. “Ne dëshirojmë që me Tetovën të kemi thellim të bashkëpunimit, sepse edhe ashtu jemi të lidhur në aspektin farefisnor e miqësor, por edhe gjeografikisht kemi afërsi. Studentë të shumtë vitias kemi në Tetovë që ndjekin studimet. Prandaj, mirëpresim thellimin e bashkëpunimit në çdo aspekt”, tha kryetari Haliti. Ndër tjerash, e njoftoi mysafirin edhe projektin e rrugës që lidh Korbliqin me Stankovecin, që do të krijoj një mundësi për lidhje sa më të afërt të komunave kufitare. Kryetari Haliti e nderoi me një mirënjohje homologun e tij, ndërkaq më pas vizituan edhe qendrën e qytetit të Vitisë. Përndryshe, komuna e Vitisë ka bashkëpunime të tilla edhe me komunat tjera të RMV-së të Likovës, Krivo Plankës, Gostivarit etj. /2LONLINE/