Për kontributin e dhënë në mbështetje të familjeve në nevojë të komunës së Vitisë, gjatë kohës së pandemisë, kryetari i komunës Sokol Haliti, ka nderuar sot me mirënjohje Klubin e Prodhuesve të Kosovës.
Mirënjohjen e ka pranuar përfaqësuesi i këtij klubi Vllaznim Osmani.
“Në emër të qytetarëve të Vitisë, u jam mirënjohës për mbështetjen që na e keni ofruar, atëher kur kishim nevojë më së shumti, për shkak se numri i atyre që kishin nevojë për ndihmë, ishte rritur ndjeshëm. Andaj, shfrytëzoj rastin që me këtë mirënjohje simbolike, të iu shprehi falenderimet e Institucioneve komunale të Vitisë, për përkushtimin tuaj që ti dilni në ndihmë qytetarëve tanë”, ka thënë Haliti.
Ndërsa Vllaznim Osmani nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, tha se Vitia ka qenë ndër komunat e para që është ndihmuar dhe kanë qenë dy arsye që e kanë mundësuar këtë.
“Arsyeja e parë, që ka qenë komuna e parë e prekur me Covid 19, si dhe arsyeja e dytë se e kemi ditur që menaxhimi i pakove do të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme”, është shprehur Osmani.
Të rikujtojmë se Klubi i Prodhuesve të Kosovës, Rrjeti i biznesit shqiptar në Bavari “Besa Foundation” si dhe organizata Germin, gjatë muajit prill të këtij viti, kanë sjellë në Viti artikuj ushqimorë dhe higjienikë si dhe miell për 600 familje. /2LONLINE.com/