Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur sot në një takim ekspertët e Projektit për Vlerësimin Mjedisor dhe Social, Karina Zachodni dhe Pëllumb Gjinolli – ekspert për çështje Mjedisore, Vigan Behluli – ekspert për çështje Sociale, si dhe Demë Abazi – përfaqësues i N.H. “Ibër-Lepenc” Sh.A Prishtinë.
Në këtë takim u diskutua rreth projektit “Projekti i Hidrosistemit Ibër Lepenc: Faza I”, që është pjesë e një studimi të detajuar që financohet nga Komisioni Evropian, në kuadër të kornizës “Infrastruktura e Projekteve në Ballkanin Perëndimorë WBIF”.
Kryetari Haliti tha se, projekte të tilla janë shumë të nevojshme për komunën e Vitisë.
“Ne si komunë jemi të gatshëm ta mbështesim këtë projekt, sepse kemi nevojë për furnizim të rregullt me ujë të pijes dhe shtimin e kapaciteteve, po ashtu sigurimin e ujit të pijes nga burime të sigurta, sepse nuk ka burime të mjaftueshme të ujit. Është jetike që të sigurohet ujë kualitativ dhe i bollshëm, për mbarë qytetarët e komunës së Vitisë”, u shpreh Haliti.
Ky projekt ka për qëllim sigurimin e burimeve shtesë të ujit, përmirësimin e cilësisë së ujit dhe furnizimin 24 orësh, shkurtimin e shpenzimeve për KRU-të, rritjen e potencialit të zhvillimit industrial/tregtarë për furnizimin adekuat me ujë, zhvillimin e potencialit hidroenergjetik të digës së propozuar për burimet e ripërtëritshme të energjisë, dhe eliminimin e ndotjes në sistemin furnizimit nga burimet e shumta të pambrojtura të ujit. /2LONLINE/