Kryetari gati në fund të mandatit nuk arrin të realizojë as 50% të premtimeve

Kryetari gati në fund të mandatit nuk arrin të realizojë as 50% të premtimeve

/Fjala e Nevzad Isufit, nga Lëvizja Vetëvendosje, në seancën e fundit të Kuvendit Komunal të Gjilanit  për çështjen që kishte të bënte me raportin e punës njëvjeçare të kryetarit të komunës së Gjilanit/

***

Nga praktikat e deritashme në mos për asgjë tjetër këto raportet e kryetarit të Komunës, po shërbejnë që ne si përfaqësues të zgjedhur të këtij kuvendi të kemi rastin e ballafaqimit me shefin  e ekzekutivit në komunë e që është kryetari i komunës, pra  z. Lutfi Haiziri.

Pra shtrohet një pyetje logjike, ne si anëtarë të kuvendit, si organ më i lartë legjislativ në komunë, që kemi për detyrë që të kontrollojmë punën e ekzekutivit, e kemi privilegjin që vetëm dy herë në vit të takohemi me kryetarin e komunës, po për qytetarët që drejtpërdrejt e kanë zgjedhur këtë kryetar, sa kanë pasur mundësi që ta takojnë atë? besoj se të gjithë e merrni me mend se përgjigja është se rrallë ndonjë nga ta. Nga kjo del se kemi një kryetar të paprekshëm, në kuptimin e kontaktit me qytetarë-interesat e të cilëve ai përfaqëson.

Por le të kthehemi te raporti njëvjeçar i ekzekutivit dhe të shohim , a kemi ndonjë përparim në lidhje me mënyrën e raportimit në këtë vit? unë mund të them se po, sepse derisa më herët raporti na sillej në formë përfundimtare para seancës së kuvendit, tash kemi përparim se si raport përfundimtar po na sillet edhe në KPF.

Që i bie që raporti aq shumë është formalizuar, sa që nuk do të ketë mundësi t’i shtohet as t’i hiqet asnjë presje.

Shtrohet pyetja tjetër, pse atëherë duhet të diskutojmë për këtë farë raporti? vetëm që të përmbushim anën formale juridike, që kryetari i është përmbajtur obligimit ligjor për të raportuar për punën një vjeçare të tij. Po të shikojmë nga ky aspekt, pra nuk do të duhej as të humbnim kohë të flisnim asnjë fjalë. Por ne përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvend duhet ta diskutojmë këtë raport, për shkak të qytetarëve që ne përfaqësojmë, në mënyrë që ata të shohin edhe versionin tonë lidhur me këtë raport, dhe cilat janë mendimet tona për përmbushjen e detyrave njëvjeçare të qeverisjes komunale.

Unë do të ndalem për pak kohë në fjalën hyrës të shkruar të kryetarit.

Fakti që qysh në fjalinë e dytë të kësaj fjale nënvizohet fjalia;

“Viti 2020, karakterizohet në përgjithësi me pandeminë COVID 19”

Më pastaj pason përshkrimi i disa veprimeve dhe pasojave deri në fund të faqes. Krejt kjo  bëhet që të sinjalizohet se gjithçka që është bërë, nëse nuk ka përfunduar mirë, atëherë fajtor kujdestar është pandemia.

Pjesa tjetër e fjalës hyrëse të kryetarit lidhet me donatorët dhe ofertat publike. Përmenden donatorët e mëdhenj si BERZH-i, Banka Botërore; Banka investive evropiane, të cilat edhe më tutje kanë mbetur vetëm në dritën jeshile. Por duke mbetur vetëm në dritën jeshile, del se semafori është prishur dhe qëndron në vendnumro.

Një premtim shtesë, në bazë të këtij raporti qenka edhe granti për zgjedhjen afatgjate të ujit të pijshëm për Gjilanin nga Banka Botërore. Por edhe ky projekt tash për tash mbetet vetëm premtim. Ndërsa ne sot do të duhet të koncentroheshim në atë që është bërë gjatë vitit 2020.

Është interesant të përmendim  dukurinë që i karakterizon raportet e këtij lloji, por edhe te fjala  e kryetarit, se herë që nuk ka çka të thotë për punën njëvjeçare, apo për punën në të shkuarën, lëshohet  për të përmendur projekte të së ardhmes, besoj që ne si anëtarë të Kuvendit e kemi kuptuar kaherë tashmë, por është mirë që këtë ta kuptojnë edhe qytetarët.

Por, po ashtu një model që tashmë bie në sy është që të gjitha projektet e pa realizuara në mandatin e tij, t’ua bartë ministrive. Kështu p.sh. rregullimi i stadiumit që për nga forma si po punohet ka filluar t’i ngjaj lumit Mirusha dhe pasi që nuk arriti ta përfundoj komuna ia ka kaluar Ministrisë. Kështu ka ndodhur edhe me qendrën e mjekësisë familjare, nuk arriti ta realizoj as në vitin 2019, as në vitin 2020 dhe ende tash pra në vitin 2021 nuk e kemi ende funksionale dhe të përfunduar, për këtë  përgjegjësinë  e ka bartur te Ministria e Shëndetësisë.

Pra, kur janë në dobi për t’i përmendur si projekte, thuhet se janë të komunës, kur ato nuk përfundohen u barten ministrive. Diçka e ngjashme ka ndodhur e po ndodh edhe me punën e autostradës, hyrje-daljeve në qytet në drejtim të Ferizajt e në drejtim të Prishtinës e të Kamenicës ose Bujanocit. Nga kjo që po paraqet kryetari edhe rregullimi i lumit Stanishorit, do t’i bashkëngjitet BERSZH-it, që duhet nënkuptuar se edhe ky projekt do të vonohet edhe më.

Pra edhe më tutje mbeten të pa përfunduara projektet, apo siç jemi mësuar t’i dëgjojmë kudo e edhe në raporte që “ janë në proces”.

Por për të treguar se qasja jonë nuk është vetëm që t’i bëhet opozitë partisë në pushtet, por është një qasje që bazohet në fakte, rezultate e shifra, po i referohem premtimeve të Kryetarit sipas Institutit GAP, i cili përcjell premtimet kryetarëve të komunave, e i cili paraqet se aktualisht kryetari i komunës z. Lutfi Haziri nga 31 premtimet e tij, tash kur kanë mbetur vetëm 5-6 muaj deri te zgjedhjet lokale ka realizuar vetëm 14 premtime, 9 të gjysmë të realizuara, 6 vetëm të filluara e 2 të pa filluara fare. Por ç’ është e vërteta edhe në ato që paraqiten si të përfunduara, ne që jemi këtu dhe jetojmë në këtë komunë e dimë se ka pasaktësi, madje edhe përkundër faktit se janë realizuar vetëm ato që janë më të lehtat .

Pra, kryetari ynë, në bazë të këtyre të dhënave, s’ka gjasa teorike që t’i dal zot zotimeve ë cilat vet i ka dhënë.

Drejtoria e shërbimeve publike, infrastrukturë dhe banim jo efikase dhe e dobët

Do të ndalem për të komentuar raportin e kësaj drejtorie si njërën  nga drejtoritë kryesore e cila edhe ka buxhetin më të madh në komunë.

Në bazë të raportit të kësaj drejtorie thuhet se gjatë 12 muajve kjo drejtori ka realizuar janë 298,415.62 euro. Këtë  shumë askund nuk mund ta gjejmë në raportin financiar. Po ashtu në bazë të këtij raporti të gjitha shpenzimet , duke përfshirë edhe grantet qeveritare janë 3229.00.62 €, shih faqen 24, ndërsa në raportin financiar në faqen 17, te shpenzimet janar –dhjetor kemi shumën 3297.109,97€, pra kemi një dallim prej rreth 68.000 mijë eurosh. Duke e shikua nga aspekti profesional mbase më i besueshëm duhet të jetë raporti financiar, por megjithatë është mirë Drejtori i financave të konsultohet me drejtorin e shërbimeve publike për të na treguar cila është shifra e saktë dhe pse është ky dallim.

Duke i konsideruar detyra të rëndomta mirëmbajtjen e rrugëve, trotuareve dhe parqeve , bartjen  e automjeteve me merimangë etj. do të ndalem te projektet tjera që kanë më shumë peshë, ndonëse në këtë raport ato janë të paraqitura si të përbashkëta. Pra thuhet “a i përket  infrastrukturës rrugore për periudhën që  po raportojmë do të përmendim projektet që janë kryer dhe ato të cilat kanë filluar të punohen deri më sot.”

Pra mendoj që nuk është dashur të ngatërrohen projektet e përfunduara me ato që vetëm sa kanë filluar, por që nuk janë përfunduar. Fitohet përshtypja  si kur kjo përzierje e ngatërrim është bërë qëllimshëm por unë do të provojë të bëjë dallimin, sepse nuk është e njëjtë si  projektet e kryera e si ato të pakryera, por vetëm të filluara.

Kështu projekti i platosë së sheshit mbi lumin Mirusha, pjesa në veri, siç e dimë nuk është i përfunduar, deri sa këtu nuk kemi ndonjë shpjegim, në raportin gjashtë mujor që e patëm shqyrtuar në shtator të vitit kaluar na patët thënë se mungon buxheti nga MAPH, ndërsa tash s’ka asnjë sqarim as nëse është kryer dhe as që nuk është kryer.

As projekti i zgjerimit të rrugës nga Drini market drejt bunarit të Përlepnicës nuk ka përfunduar dhe besoj se për këtë jemi të gjithë dëshmitarë, nga se kalojmë çdo ditë, madje nga ato pak punime që janë bërë e shohim se është dëmtuar shumë edhe pjesa e vjetër e asfaltit, që pengon komunikacionin por edhe dëmtohen automjetet. Pra një projekt vetëm i filluar që nuk dihet kur do të përfundoj.

Ndërtimi i rrugëve në Malishevë të Epërm, paraqitet si projekt i kryer, ndërsa në realitet ne e dimë se vetëm një pjesë e rrugës së një lagjeje është kryer, madje edhe kjo pa u rregulluar fare kanalizimi.

Të pa përfunduara janë edhe trotuari në Dardani, apo siç thoni ju është në  proces , por në proces ishte edhe në shtator kur është paraqitur raporti gjashtëmujor i punës.

I pa përfunduar është edhe projekti për rrugën Zabel –Uglar që sipas kontratës është filluar me 18.06.2019 , pra me afat një vjeçar është dashur të përfundohet më 17.06.2020 por ende deri tash nuk është kryer, pra në proces ka qenë në 6 mujor të vitit 2020 e në proces është edhe pas 12 mujorit.

Pra të papërfunduara janë edhe projektet e rrugëve Dobërqan-Stublinë, Dobërqan-Pogragjë, e pa përfunduar është ura në Dobërqan, e pa përfunduar mbetet rruga 7 shtatori, rruga Esad Mekuli dhe Kadri Osmani, e cila është dashur të përfundoj më 26.12.2019, por vazhdon të mbetet e pa kryer edhe deri tash.

Rruga e Kumanovës ka mbetur ende në fazën 2,3,4 e papërfunduar, ndërsa në këtë gjendje ishte edhe sipas raportit 6 mujor. Rregullimi i shtratit të lumit dhe kanalizimit fekal në Dobërqan i pa përfunduar.

Zgjerimi i rrugës me katër korsi në drejtim të Prishtinës, vetëm i filluar, por shumë larg të qenit i përfunduar.

Duhet theksuar se pothuajse shumica e këtyre projekteve kanë qenë në këtë gjendje edhe në shtator të vitit të kaluar, kur kemi shqyrtuar raportin gjashtë mujor të punës së kësaj drejtorie. Pra po të shikohen këto dy raporte, pra atë gjashtë mujor dhe këtë 12 mujor, tash kur realisht janë bërë 15 muaj, del se kemi stagnim në shumicën e projekteve të mëdha.

Në këtë drejtori shikohet si punë e madhe qoftë edhe vetëm nënshkrimi i kontratës, siç është rasti me projektin për rekonstruimin dhe kanalizimin fekal e atmosferik  si dhe ndërrimin e gypit të ujësjellësit në rrugën Haqif Tetova dhe projektin për rregullimin e hapësirave publike-parkingut në lagjen Kamnik.

Pra kemi një drejtori jo efikase, që nuk respekton afat e realizimit të kontratave dhe që ka shumë vërejtje edhe në cilësinë të realizimit të çfarëdo projekti e në veçanti në ato infrastrukturore.

KOMENTE