(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Kamenicës Begzad Sinani, merr vendim për të ndërprerë të gjitha bashkëpunimet e mundëshme me Kryetarin e Komunës së Ranillukut Gradimir Mikic, pas deklaratave fyese të tij në drejtim të nënave Gjakovare.
Kryetari Begzad Sinani, ka bashkëpunuar ngushtë me Qeverinë e Republikës së Kosovës, dhe me të gjithë organizmat ndërkombëtar gjatë fazës përgatitore për themelimin e Komunës së Ranillugut në vitet 2008 dhe 2009 me qëllim që banorëve të kësaj komune t`u ofrohen shërbimet më afër dhe që si komunë në vete të krijojnë mundësinë e zhvillimit sa më të madh.
Kryetari Begzad Sinani, siguron qytetarët e Komunitetit serb në Kamenicë, se do të kenë përkujdesje institucionale njejtë sikurse komuniteti shqiptar dhe i falënderon ata për kontributin që japin për krijimin e një klime të mirë ndëretnike në komunë.
Komuna e Kamenicës dhe kryetari Begzad Sinani, i sigurojnë qytetarët serb të Komunës së Ranillukut se do të mund të vazhdojnë të kryejnë shërbimet e tyre në Kamenicë, por këto shërbime mund t`i kryejnë vetëm me anë të kërkesave të drejtpërdrejta në Komunën e Kamenicës.
Kryetari Begzad Sinani i pezullon të gjitha marrëveshjet me Komunën e Ranillukut, deri në kërkimfaljen e kryetarit të Komunës së Ranillukut për deklaratat e tij fyese. Këto lloj deklaratash nuk janë as në shërbim të komunitetit serb që jeton këtu dhe aq më pak në shërbim të ndërtimit të bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve./2L ONLINE/