Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni i ka bërë publike obligimet finaciare të Komunës nga qeverisja e kaluar.
‘Ne jemi zotuar për transparencë. Qasja jonë është dhe do të jetë e tillë përgjatë të gjithë mandatit, andaj edhe si institucion komuna është e hapur dhe mirëpret qytetarët e palët e ndryshme për takime’, ka thënë Hyseni.
Deklarata e plotë e kryetarit Alban Hyseni:
Kemi potencuar e tërhequr vemendjen tek obligimet e mëdha financiare të komunës së Gjilanit. Kemi vendosur që lista e obligimeve të komunës të bëhet publike.
Gjilani, përgjatë viteve (sidomos 8 të fundit), ka krijuar obligimet financiare si vijon:
1. Obligimet financiare jo kontingjente: 11,062,061.67 euro
2. Obligimet financiare kontigjente: 14,480,300.00 euro
Për këto dy muaj të qeverisjes tonë, në muajin dhjetor 2021 dhe janar 2022, kemi pranuar njoftimin nga përmbaruesi për obligimet që do të ekzekutohen përmes procedurës përmbarimore. Vlera e këtyre obligimeve është 3,500.000 euro!
Shumica e detyrimeve janë nga shpronësimet. Të njëjtat janë bërë pa përfillur procedurat ligjore, ku fillimisht duhet zotimi i mjeteve e më pas edhe zbatimi i procedurës së ekspropriimit.
Nuk arsyetohemi. Ne do të punojmë. Nuk e përdorim si justifikim të kaluarën. Punojmë për të ardhmen.
Do të gjejmë shkelësit. Do t’i denoncojmë ata. Do të ndalim zhvatjen. Do të kthejmë dinjitetin e munguar.
Për Gjilanin që meritojmë, për të ecur në rrugën e zhvillimit. /2LONLINE/