Pas ndërprerjes së seancës së 12 janarit, të mërkurën në Medvegjë, në vazhdimin e seancës është bërë rizgjedhja e strukturës udhëheqëse në këtë komunë të banuar me serb dhe shqiptarë.
Nga dita e sotme, kryetar i Komunës së Medvegjës është Dragisha Nikolliq, inxhinier i diplomuar, prej grupit qytetarë “Jabllanica e Epërme”, i cili ka arrit të marrë 33 vota nga 35 këshilltarë sa ka Kuvendi Komunal në Medvegjë.
Për zëvendëskryetar me 30 vota pro është rizgjedhur Florim Sahiti, i cili nga 23 nëntori, kur ndërroi jetë papritur kryetari i ndjerë i Medevegjës, Sllobodan Drashkoviq, me automatizëm ka ushtruar detyrën e të parit të komunës.
Zgjedhja e strukturave udhëheqëse është përshëndetur nga këshilltarët prezent, ndërsa opozita në fillim kishte kundërshtuar Natasha Filliqin, kandidate fillestare për kryetare të Medvegjës, e cila më pas është tërheqë nga gara.
Kryetari i sapo zgjedhur i Komunës së Medvegjës, Dragisha Nikolliq, ka falënderuar të pranishmit për besimin e dhënë, ndërsa ka thënë se do të angazhohet për zhvillim të ekonomisë dhe punësim.
I rizgjedhuri për zëvendëskryetar të Komunës së Medvegjës, Florim Sahiti, i ka thënë portalit informativ Titulli.com, se mbledhja e sotme, për dallim nga dita e hënë, është zhvilluar në atmosferë të qetë.
“Sot ka kalu krejt në rregull, është zgjedhë kryetari, zëvendësi edhe Këshilli Komunal”, u shpreh Sahiti, i cili në seancën e ditës së hënë ishte viktimë e sulmit të një grupi të qytetarëve serb.
Vlen theksuar se Kuvendi Komunal në Medvegjë numëron gjithsejtë 35 këshilltarë, ndërsa prej tyre vetëm 6 janë shqiptarë që vijnë nga Partia për Veprim Demokratik.
Ky subjekt politik shqiptarë me grupin qytetarë “Jabllanica e Epërme” qeverisin me komunën e Medvegjës.
Përndryshe, seanca e ditës së mërkurë u përcoll nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE).